Sveçla: Serbia ka arrestuar drejtorin e Administratës në Leposaviq dhe të fejuarën e tij
Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla ka deklaruar se Drejtori i Administratës në Komunën e Leposaviqit njëherit djali i Zëvendësministrit të Ministrisë për Kthim dhe Komunitete Nikolla Radimiroviq është arrestuar nga policia e Serbisë për shkak se Nikolla është pjesë e institucioneve të Kosovës. Sveçla theksoi se djali i Radimiroviq dhe e fejuara e tij po mbahen në stacionin e policisë në Rashkë. “Drejtori i Administratës në Komunën e Leposaviqit njëherit djali i Zëvëndësministrit të Ministrisë për Kthim dhe Komunitete Nikolla Radimiroviq, është arrestuar sot nga policia e Serbisë dhe është dërguar në stacionin e policisë serbe në Rashkë. Ai së bashku me të fejuarën e tij po mbahen të arrestuar për arsyen e vetme se Nikolla është pjesë e institucioneve të Republikës së Kosovës dhe se së bashku me babain e tij në vazhdimësi i kanë rezistuar presionit të Beogradit dhe bandave të tyre”- ka bërë të ditur Svecla.
Sipas ministrit, ky arrestim është hakmarrje pas dështimit të tyre për të ndalur vendimin që Kosova të jetë nikoqire e lojërave mesdhetare 2030.
“Ky arrestim i padrejtë është edhe një dëshmi e qasjes destruktive e destabilizuese të qeverisë së Serbisë dhe hakmarrje pas suksesit të Kosovës të arritur dje dhe dështimit të tyre për të ndalur vendimin që Kosova të jetë nikoqire e lojërave mesdhetare 2030”- shtoi më tej Sveçla. Ministri ka kërkuar nga Beogradi lirimin e menjëhershëm të drejtorit dhe të ndalen presionet dhe aktet e paligjshme ndaj shtetaseve të Kosovës. “Kërkojmë nga Beogradi që urgjentisht të lirojë Drejtorin Radimiroviq dhe të fejuarën e tij dhe të ndalojë presionet e aktet e jashtëligjshme ndaj shtetasve të Kosovës, veçanërisht ndaj atyre të etnisë serbe të cilët janë lojal ndaj shtetit të tyre, Republikës së Kosovës, e në shërbim të të gjithë qytetarëve të saj”- ka shtuar tutje Sveçla.