
Sveçla: Serbia vazhdon me lojërat e saj
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas arrestimit të tre policëve të Kosovës.
Ai ka shkruar në “Facebook” se Serbia vazhdon me lojërat e saj.
“Policët tanë sot kthehen në Republikën e Kosovës, në familjet e tyre e në radhët e Policisë së Kosovës. Për t’u bashkuar kështu me kolegët e tyre në misionin e përbashkët për rend e ligj, siguri e sovranitet në tërë territorin e Republikës së Kosovës”.
“Ndonëse lirimi i tyre sot është lajm i mirë, përndjekja e tyre nga Serbia do të vazhdojë në liri. Konfirmimi i aktakuzës dhe lirimi në procedurë të rregullt është vazhdim i orvatjeve të Serbisë për të mbuluar agresionin policoro-ushtarak brenda territorit të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Sevçla.
Ai ka theksuar se policët tanë kanë qenë në detyrë zyrtare, brenda territorit të Republikës dhe duke kryer detyrën e tyre në mbrojtje të integritetit, sovranitetit të vendit dhe luftim të kontrabandës.
“Ata duhet të lirohen pa kushte dhe Serbia duhet të mbahet përgjegjëse për cenimin e integritetit territorial të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Sveçla.