Sveçla shkarkon kryeshefen e Inspektoratit Policor të Kosovës
Ushtruesi i detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme dhe të Administratës Publike (MPBAP), Xhelal Sveçla, ka bërë me dije se ka shkarkuar nga Miradije Kelmendin nga detyra e kryeshefes së Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK)
Sveçla ka thënë se këtë vendim e ka marrë pas analizës së gjetjeve të dy raporteve.
“Gjetjet e raporteve e bëjnë të domosdoshëm shkarkimin. Në krye të institucioneve na duhen njerëz që respektojnë ligjin dhe iu garantojnë qytetarëve transparencë të plotë, shërbim profesional e mbrojtje. E kjo është edhe më e rëndësishme kur flasim për drejtuesit në institucionet e rendit publik e ata të Policisë së Kosovës”, ka shkruar Sveçla në llogarinë e vet në “Facebook”.
Postimi i plotë i Sveçlës:
Sot kam nënshkruar vendimin për shkarkimin nga detyra e Kryeshefes së Inspektoratit Policor të Kosovës, znj. Miradije Kelmendi.
Ky vendim erdhi pas analizës së gjetjeve nga dy raporte: Raporti me rekomandime për Mbikëqyrje të zbatimit të ligjit për IPK-në, hartuar nga Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës; dhe Raporti i Auditimit për Ministrinë e Punëve të Brendshme të vitit 2018. Po ashtu kam marrë parasysh edhe letrën e rekomandimeve nga Avokati i Popullit Nr. 683/2019 lidhur me çështjen “Agron Hasanaj kundër Inspektoratit Policor të Kosovës”.
Në këto raporte konstatohen shkelje të ndryshme në menaxhimin e IPK-së dhe mes tjerash edhe rekomandohet shkarkimi i znj. Kelmendi.
Gjetjet e raporteve e bëjnë të domosdoshëm shkarkimin. Në krye të institucioneve na duhen njerëz që respektojnë ligjin dhe iu garantojnë qytetarëve transparencë të plotë, shërbim profesional e mbrojtje. E kjo është edhe më e rëndësishme kur flasim për drejtuesit në institucionet e rendit publik e ata të Policisë së Kosovës. Vetëm në këtë mënyrë, duke mbajtur përgjegjësi maksimale dhe duke mos lejuar shkeljet, e forcojmë shtetin.