Sveçla: “Shkolla ruse” për destabilizim të Kosovës po dështon
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se Serbisë është duke i dështuar “shkolla ruse” për destabilizim të Kosovës dhe rajonit.
Sveçla ka thënë se Serbia po synon që të intensifikojë agresivitetin e luftës speciale kundër Kosovës duke kombinuar propagandën, operacionet subversive, ofensivën diplomatike përmes metodave të luftës hibride, sipas shkollës ruse.
Por, ai thotë se dështimet e njëpasnjëshme të përpjekjeve destabilizuese, kanë acaruar Vuçiqin, Vuçeviçin, Vulinin, Radojçiqin, të cilët të dëshpëruar, po synojnë ende që “shkollën ruse” për destabilizim, ta implementojnë në rajon.
Postimi i plotë i Sveçlës:
SERBIA NË PANIK, “SHKOLLA RUSE” PËR DESTABILIZIM TË KOSOVËS DHE RAJONIT PO DËSHTON
Serbia po synon që të intensifikojë agresivitetin e luftës speciale kundër Kosovës duke kombinuar propagandën, operacionet subversive, ofensivën diplomatike përmes metodave të luftës hibride, sipas shkollës ruse.
Dështimet e njëpasnjëshme të përpjekjeve destabilizuese, kanë acaruar Vuçiq-in, Vuçeviçin, Vulinin, Radojçiq-in, të cilët të dëshpëruar, po synojnë ende që “shkollën ruse” për destabilizim, ta implementojnë në rajon.
Dështuan në:
1. Arritjen e qëllimeve politike përmes barrikadave në veri;
2. Sulmin paramilitar/terrorist në Banjskë;
3. Synimet për të nxitur trazira dhe konflikte në komunat në veri, përmes luftës hibride, lajmeve të rreme, inskenimeve dhe fushatave propaganduese;
4. Synimet për të mbrojtur grupet e strukturuara kriminale, për qëllime politike dhe financiare/pastrimin e parave, kultivimin e drogave, trafikimin e armëve;
5. Destabilizimin e Kosovës dhe rajonit përmes trafikimit masiv të armëve në komunat në veri të Kosovës;
6. Synimet e vazhdueshme për inskenim të incidenteve ndaj serbëve (në jug), për ta fajësuar Kosovën, përmes:
➢ Strukturave të sigurisë së Serbisë;
➢ Shfrytëzimit të individëve me orientim radikal (fetar); dhe
➢ Grupeve kriminale në rajon;
7. Fushatat e orkestruara për kinse ‘spastrimin etnik’, ‘krizën humanitare’, ‘sulmet ndaj serbëve’, kërcënimin nga ‘sundimi i ligjit dhe lëvizja e lirë’;
8. Presionet e vazhdueshme ndaj qytetarëve të Kosovës pa dallim, me theks të veçantë ndaj qytetarëve serb, përmes represionit të shtetit, strukturave të sigurisë dhe grupeve terroriste/kriminale;
9. Së fundmi, bllokimi i pikave kufitare përmes grupeve ekstremiste, radikale dhe terroriste, të sponsorizuara nga shteti.
Lista e dështimeve të tyre është e gjatë dhe do të vazhdojë të rritet, deri sa ta kuptojnë përfundimisht, që sovraniteti i Kosovës nuk mund të cënohet, orientimi Euro-Atlantik i rajonit, nuk ka kthim.