Sveçla takohet drejtorin e policisë dhe kryeshefin e IPK-së, ja për çfarë biseduan
Ministri i Punëve të Brendshme (MPB), Xhelal Sveçla, ka pritur të premten në takim drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxhën dhe kryeshefin e IPK-së Kushtrim Hodaj, me të cilët ka diskutuar mbi raportet e inspektimeve të IPK-së për Policinë e Kosovës
Në këtë takim, sipas njoftimit të MPB-së u diskutua niveli i zbatimit të rekomandimeve, sfidat si dhe strategjia e përbashkët për zbatimin e masave për përmirësimin e efikasitetit dhe performancës së policisë.
Sveçla ka përgëzuar dy institucionet për angazhimet e tyre deri më tani dhe ofroi mbështetjen e tij të vazhdueshme me qëllim të zbatimit të të gjitha rekomandimeve dhe përmirësimit të performancës së Policisë së Kosovës.
“Ministri Sveçla ofroi mbështetjen e plotë për Inspektoratin e Policisë së Kosovës dhe Policinë e Kosovës si dy institucione që kanë për qëllim shërbimin në nivelin më të lartë dhe më efikas për qytetarët tanë, garantimin e rendit, sigurisë dhe sundimin e ligjit në gjithë territorin e Republikës së Kosovës”, ka njoftuar MPB-ja.