Sveçla thotë nuk ka nevojë për shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme

18 mars 2020 | 08:44

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare të mbajtur mbrëmë, ka njoftuar se në mënyrë që të mos eskalohet situata dhe të ndodhë tejkalimi i gjendjes të krijuar pas shfaqjes së pandemisë Covid 19, do t’i propozojë Kuvendit të Kosovës dekretin për shpallen e gjendjes së jashtëzakonshme në Kosovë.

Por, kundër propozimit të Thaçit ka dalë nga Qeveria e Kosovës. Mbrëmë Haki Abazi, në emër të qeverisë, pas përfundimit të konferencës nga Thaçi, deklaroi se qeveria në këto rrethana nuk e sheh të arsyeshme shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, ani pse kjo punë tashmë është në dorën e deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

E kundër vendimit të Thaçit doli edhe zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

“Para se të shpallej gjendje e jashtëzakonshme do të duhej të vlerësohej se sa janë shfrytëzuar kapacitetet aktuale në kuadër të situatës aktuale, gjendjes së emergjencës shëndetësore. Së pari ende nuk janë mobilizuar kapacitet maksimale të institucioneve civile, si kthimi i orarit 12 orësh për policinë e Kosovës, praktikë më se e zakonshme në rastet më se të zakonshme si zgjedhjet apo datat specifike. Ky hap do ta dyfishonte pjesëmarrjen e policisë në aktivitete. Edhe ashtu nuk ka ndonjë shqetësim serioz për mungesë sigurie, para së gjithash falë sjelljes së përgjegjshme të qytetarëve tanë”, ka shkruar Sveçla.

Ai është shprehur se tani për tani emergjenca shëndetësore është e mjaftueshme. “Po ashtu, edhe i gjithë personeli shëndetësor me të drejtë nuk është mobilizuar deri në maksimum, gjë që tregon për potenciale shtesë në rast të nevojës. Po ashtu, për sa i takon furnizimit me artikujt e nevojshëm, nuk ka vështirësi të theksuara. Marr parasysh këto dhe shumë argumente të tjerë në këtë moment dhe në këso lloj situate, nuk ka nevojë për shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme. Ka nevojë për hapa që qartësojnë shoqërinë e qytetarët e jo që shkaktojnë konfuzion e pasiguri”, ka deklaruar ai.

Mbetet të shihet nëse deputetët do të votojnë për dekretin e Thaçit për shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme apo jo.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministria e Shëndetësisë ka konfirmuar se pacienti 66-vjeçar, i cili…