Sveçla thotë se bisedoi me Sarrazinin për kontrollin e mallrave serbe në Merdare

30 tetor 2024 | 14:18

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë të mërkurën se bisedoi me të dërguarin e posaçëm të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, për masën e kontrolleve manuale të sigurisë për mallrat nga Serbia që hyjnë në Kosovë.

Më 7 tetor, Qeveria e Kosovës e ka zëvendësuar vendimin për ndalimin e importit të mallrave me origjinë nga Serbia me një të ri që lejon importin, por vetëm përmes kufirit në Merdare dhe me kontroll të detajuar të sigurisë.

Vendimi i saj ka ardhur pas një trysnie të vazhdueshme nga Gjermania.

“Zyrtarët tanë shtetërorë po e zbatojnë këtë vendim me përkushtim, me qëllim të garantimit të sigurisë së vendit tonë deri në funksionalizimin e sistemeve të skanerëve “X”, që do të lehtësojnë edhe punën e tyre edhe pritjet në pika kufitare”, ka shkruar Sveçla në “Facebook”.

Në vendkalimet e tjera është paralajmëruar se do të lejohet importi vetëm kur të sigurohen skanerët, të cilët do t’i ndihmojnë Doganës së Kosovës në kontrollin e mallrave, pa ndërhyrje fizike.

Ambasada gjermane ka thënë se blerja e këtyre skanerëve është në proces, “në përputhje me të gjitha rregullat dhe rregulloret e vlefshme për prokurimin publik”.

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë më herët se do ta monitorojë procesin e importit të mallrave nga Serbia, pasi vendi i tij i kërkoi Kosovës heqjen e ndalesës, në mënyrë që të zhbllokohej CEFTA, apo Marrëveshja e Tregtisë së Lirë e Evropës Qendrore, dhe të përparonte Procesi i Berlinit – një nismë kjo që synon të ndihmojë zhvillimin ekonomik të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe afrimin e tyre me Bashkimin Evropian.

Sveçla ka thënë se e ka falënderuar Sarrazin për “angazhimin e tij të vazhdueshëm në avancimin e bashkëpunimit rajonal”.

“Diskutuam për ecurinë e takimit të fundit të Procesit të Berlinit dhe rikonfirmova përkushtimin tonë si palë aktive për angazhim të mëtejmë në kuadër të këtij procesi”, ka shkruar ai.

Përndryshe, Kosova ka theksuar se vendimi për ndalimin e importit të mallrave nga Serbia, në mes të korrikut të vitit 2023, u mor për “arsye sigurie”, pas arrestimit të tre policëve të Kosovës nga policia serbe.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Biletat e ndeshjes Shqipëri-Çeki, e vlefshme për grupin B1 të…