Sveçla viziton policinë: Presim rezultate konkrete në luftimin e krimit dhe rritjen e sigurisë publike

29 mars 2021 | 15:58

Ministri i Punëve të Brendshme (MPB), Xhelal Sveçla, së bashku me një pjesë të kabinetit të tij ka vizituar Policinë e Kosovës, ku është pritur nga drejtori Samedin Mehmeti me bashkëpunëtorë.

Me këtë rast, Sveçla ka thënë se Kosova është duke u ballafaquar me një numër sfidash.

“Vendi ynë ballafaqohet me një numër të madh sfidash për të cilat duhet angazhim konkret, me qëllim që të garantohet sundimi i ligjit dhe ofrimi i sigurisë publike në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Jemi të përkushtuar në reformimin e Policisë së Kosovës, me qëllim të ngritjes së profesionalizmit, pavarësisë dhe llogaridhënies , forcimit të integritetit institucional, transparencës dhe rikthimit të kredibilitetit e besimit të qytetarëve ndaj institucioneve të sigurisë në vend”, ka thënë Sveçla, duke shtuar se puna e policisë është e një rëndësie të veçantë për vendin.

“Shumë policë, vënë jetën e tyre në rrezik çdo ditë, për të mbrojtur  jetën dhe pronën publike dhe private, të parandalojnë, zbulojnë e luftojnë krimin. Shumë zyrtarë policorë janë në kryerje të detyrës me integritet dhe e bëjnë punën e tyre shkëlqyeshëm, por jemi dëshmitarë se kjo punë shpeshherë dëmtohet nga një pakicë e atyre që sillen në mënyrë jo të duhur dhe në kundërshtim me detyrat dhe përgjegjësitë që ju takojnë. Këtë duhet ta luftojmë bashkërisht!”, ka deklaruar Sveçla.

Më tutje, ai ka bërë me dije se 21 zyrtarë policorë kanë rënë në krye të detyrës që nga themelimi i Policisë së Kosovës.

Prej themelimit të PK-së, kemi 21 zyrtarë policorë që kanë rënë në krye të detyrës, nga këta, më duhet ta veçoj Enver Zymberin që është një dëshmi që zyrtarët policorë të Kosovës nuk kanë kursyer as jetën për të ofruar shtrirje të sovranitetit dhe siguri për qytetarët e Kosovës. Sot, Policia e Kosovës është një ndër institucionet më me rëndësi në përpjekjet e përbashkëta për luftimin me pandeminë. Ne u jemi mirënjohës zyrtarëve të PK-së, që pa pushim, dhe me orar të zgjatur të punëve, janë duke ndihmuar qytetarët për të parandaluar përhapjen e virusit Covid-19. Deri më tani 17 zyrtarë policor kanë humbur jetën nga virusi ‘korona’ dhe mbi 800 kanë qenë të infektuar nga  ky virus”, është shprehur Sveçla.

Ministri Sveçla ka thënë se janë bërë shumë punë të mira në Policinë e Kosovës dhe shpeshherë falë punës së policisë, Kosova është shembull dhe prijëse e praktikave të mira policore.

“Megjithatë, përkundër arritjeve, para nesh kemi shumë sfida.  Sot vendi po përballet me sfida të shumta të sundimit të ligjit dhe sigurisë siç janë: lufta ndaj krimit të organizuar e korrupsionit, trafikimit me qenie njerëzore dhe trafikimit të paligjshëm të armëve,  krimeve ekonomike, sulmet kibernetike, dhuna në familje dhe dhuna në shkolla, e shumë sfida të tjera. Për t’u përballur me këto sfida, kërkohet ndërtimi i forcave profesionale të zbatimit të ligjit. E ky është vetëm njëri nga  synimet e Qeverisë së Kosovës dhe ministrisë të cilën unë e drejtoj. Së bashku me ju, do t’i adresojmë të gjitha sfidat me të cilat përballet Policia e Kosovës. Pra, duhet të sigurohemi që askush të mos jetë mbi ligjin. Prandaj, duhet shumë punë që Policia e Kosovës të jetë transparente, profesionale dhe me integritet. Ne duhet të sigurohemi që rregullat zbatohen për të gjithë dhe se zyrtarët policor që bien në kundërshtim me ligjin, hetohen dhe ndëshkohen. Por, në të njëjtën kohë duhet të sigurohemi që  policia i ka të gjitha kapacitetet e nevojshme për të kryer punën e tyre si duhet”, ka deklaruar Sveçla, duke premtuar kushte më të mira për Policinë e Kosovës.

“Ne jemi të përkushtuar, që të krijojmë kushtet më të mira të punës për Policinë e Kosovës në luftimin e krimit, duke bërë ndryshimet e nevojshme ligjore e miratimin e ligjeve të reja, duke investuar në  infrastrukturë, pajisje dhe investim në flotën e policisë, por do të kërkojmë edhe rezultate konkrete në luftë kundër krimit korrupsionit, dhe forcim të integritetit policor brenda PK-së. Presim rezultate konkrete në luftimin e krimit dhe rritjen e sigurisë publike, në  parandalimin e dhunës në shkolla, dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave”, ka thënë ministri Sveçla.

Në fund të fjalës së tij, Sveçla, ka thënë se në koordinim të ngushtë me PK-në, MPJ-në dhe  partnerët ndërkombëtarë do të punojnë në forcimin e bashkëpunimit të policisë në organizatat ku është anëtare me të drejta të plota apo të kufizuara, si dhe do të rrisin përpjekjet për anëtarësim në organizatat tjera ndërkombëtare sidomos në Interpol.

“Kjo do ta ndihmojë PK-në në luftimin e kërcënimeve dhe rreziqeve të sigurisë së vendit. Ne do të udhëhiqemi nga parimi i mbrojtjes së jetës së qytetarit, rendit dhe qetësisë publike, në mbrojtje të të drejtave dhe lirive të  njeriut, të trajtimit në mënyrë të barabartë të gjithë qytetarëve pa dallim. Në Policinë e Kosovës nuk duhet të ketë vend për krim e korrupsion. Për këtë do të keni mbështetjen time të pa rezervë, që bashkë të bëjmë një Polici shembull në rajon dhe më gjerë, që ofron zbatimin e ligjit në Kosovë në mënyrë profesionale, efektive dhe që ofron rend e siguri për qytetarët”, është shprehur Sveçla.

undefinedundefinedundefinedundefinedundefined

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ekipet e kërkim shpëtimit në Kajro të Egjiptit kanë nxjerrë…