Sveçla viziton veriun e Kosovës, falënderon policët për ruajtjen e kufijve
Ministri i Punëve të Brendshme (MPB), Xhelal Sveçla, ka vizituar pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, ku pa nga afër punën e zyrtarëve policorë të policisë kufitare.
Sveçla ka bërë me dije se gjatë vizitës në veri të Kosovës, ka shkuar edhe në stacionet e reja policore që mbikëqyrin vijën e gjelbër të kufirit.
“Me përgjegjësit por edhe gjithë zyrtarët policor prezent, biseduam lidhur me ecurinë e punës, vështirësitë dhe nevojat që kanë dhe u zotuam që me angazhimin e gjithë faktorëve relevant, vështirësitë të tejkalohen dhe nevojat të plotësohen”, ka shkruar Sveçla në llogarinë e vet në “Facebook”.
Më tutje, Sveçla ka falënderuar zyrtarët policorë për punën, vigjilencën dhe përkushtimin, që sipas tij po e bëjnë, për ruajtjen e kufijve të Kosovës.