Sveçla: Vuçiq është gënjeshtar kronik, djali i tij u ndalua një herë nga Policia e Kosovës

29 qershor 2023 | 17:05

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, e ka quajtur gënjeshtar kronik presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq. Ai ka thënë se djali i tij, i cili dje ka qëndruar në Kosovë nuk është ndaluar tri herë nga Policia e Kosovës, por vetëm një herë.

Në konferencë për media, Sveçla ka deklaruar se i njëjti ka hyrë si qytetar i rëndomtë përmes pikës kufitare në Merdare dhe nuk i është gjetur armë gjatë kontrolleve të eskortës.

Ai ka treguar se i njëjti ka hequr bluzën me mbishkrimet provakative, pasi ishte ndaluar nga Policia e Kosovës.

Sveçla: Vuçiq është gënjeshtar kronik

“Ai në Kosovë ka hyrë si një qytetar i rëndomtë, do të thotë edhe sipas marrëveshjes së Brukselit por edhe praktikave të deritanishme për hyrjen e qytetarëve të rëndomtë nuk ka procedura të veçanta. Ai pastaj është shfaqur në Graçanicë me atë bluzë provokative, por Policia e Kosovës sipas informatave që më kanë dhënë, kanë marrë vendim që të ndalin dhe të kontrollojnë veturat të cilat janë sjellur në mënyrë të çuditshme. Atij i është kërkuar dhe gjë e cila është realizuar heqja e kësaj bluze me mesazh provokativ për shumicën e qytetarëve të Republikës së Kosovës. Dhe me kaq e gjitha ka përfunduar, ata janë larguar për Serbi. Të them të drejtën, ne të gjithë e dimë që Vuçiq ka qenë ministër i propagandës në qeverinë e Millosheviqit, por se është gënjeshtar kronik po na i dëshmon për çdo ditë. Djali i tij nuk është ndalur tri herë nga Policia e Kosovës, është ndal vetëm një herë në dalje të komunës së Prishtinës në drejtim të Serbisë”, ka deklaruar ministri i Brendshëm.

Tutje, ai ka shtuar e i njëjti ka hyrë përmes pikës kufitare në Merdare dhe nuk është gjetur asgjë e dyshimtë në eskortë.

Sveçla: Nuk është gjetur asgjë e dyshimtë kur është bërë kontrollimi i eskortës

“Me gjasë ka hyrë në Merdare, këtë patjetër që Policia e Kosovës e dinë. Kur është bërë kontrollimi i veturave të eskortës së tij dhe veturës ku ai ka qenë nuk është gjetur asgjë e dyshimtë. Mund të ju them lirisht, se po të ishte gjetur ndonjë armë Policia e Kosovës e kishte pasur obligim ligjor që të ndërmarrë hapat e duhur në rast të gjetjes së ndonjë personi me armë ilegale…Nuk mund të ketë një leje të një shteti tjetër pa njoftim paraprak të shtetit”, ka thënë ai.

Qeveria e Kosovës mori vendim që organizatat që veprojnë në komunat veriore të vendit si “Mbrojtja civile” dhe “Brigada e Veriut” të shpallen organizata terroriste.

Kundër këtij vendimi ishte ministri serb Nenad Rashiq, e për këtë, ministri Sveçla ka thënë se nuk pajtohet me të por brenga e tij ishte në lidhje me hapat.

Sveçla: Shpallja e organizatave terroriste ishte hap jashtëzakonisht i nevojshëm

“Brenga e tij ishte tek hapat, jo tek e drejta për të marrë këtë lloj vendimi apo nevojën për këtë lloj vendimi. Skepticizmat e tij ishin lidhur me hapat. Unë jam i bindur se ky hap është jashtëzakonisht i nevojshëm tani, në mënyrë që të bëjmë ndarjen në mes këtyre kriminelëve të cilët në vazhdimësi, jo vetëm sulmojnë institucionet, mediat, përfaqësuesit ndërkombëtar por më së shumti godasin vet qytetarët tanë atje”, ka thënë Sveçla.

Sveçla ka thënë se kanë informacione të sakta se grupet të cilat janë tashmë të identifikuara nga institucionet e Kosovës, kanë kryer akte të shumta terroriste në pjesën veriore. Ai ka renditur disa nga sulmet që kanë kryer këto grupe terroriste.

Sveçla: Sulm ndaj zyrtarëve të PK-së, pjesëtarëve të KFOR-t dhe zyrtarëve të EULEX-it

“Sulmi ndaj zyrtarëve, zyrës së komisionit komunal zgjedhor në veri të vendit në dhjetor të vitit 2022, sulme të armatosura ndaj zyrtarëve të Policisë së Kosovës, pjesëtarëve të KFOR-it dhe zyrtarëve të misionit të EULEX-it, djegie e organizuar e veturave të pajisura me targa legale RKS, sulme dhe kanosje ndaj kundërshtarëve politik dhe qytetarëve, me qëllim të pengimit të pjesëmarrjes së tyre në zgjedhje. Trafikimi dhe posedimi i armatimit me qëllim të kryerjes së sulmeve terroriste ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës, sulme ndaj gazetarëve dhe punonjësve të mediave, zjarrvënie të pronave publike dhe private si dhe sulm me granatë dore ndaj objektit të Komunës së Mitrovicës së Veriut. Po ashtu, tashmë jeni në dijeni edhe të lajmit mbi sulmin ndaj pikës statike të PK-së të ndodhur natën e mbrëmshme”, ka deklaruar ai.

Më tej, ka shtuar se këto grupe janë mirë të organizuara dhe qëllim kanë rrezikimin dhe kërcënimin e sigurisë shtetërore.

Sveçla: Grupet terroriste kërcënojnë sigurinë shtetërore

“Këto grupe me strukturë të mirëorganizuar kanë pjesëtarë të përgatitur për kryerjen e akteve terroriste, të armatosur dhe me burime financiare të mjaftueshme për realizimin e qëllimeve të tyre. Qëllimet kryesore të tyre janë rrezikimi dhe kërcënimi i sigurisë shtetërore, më saktësisht destabilizimin e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës. Këto grupe kërcënojnë sigurinë shtetërore përmes veprimeve të ndërmarra nga brenda territorit por edhe nga jashtë kufijve të Kosovës”, ka shtuar Sveçla.

Pas mbledhjes së Qeverisë, Sveçla ka shtuar se përmes këtij vendimi ndalohet veprimtaria e tyre në territorin e Kosovës.

Sveçla: Veprimtaria e tyre është e paligjshme dhe do të ndëshkohet në përputhje me legjislacionin

“Përmes këtij vendimi në mënyrë të menjëhershme ndalohet veprimtaria në territorin e Republikës së Kosovës të grupeve të listuara në vendimin e qeverisë. Veprimtaria e tyre është e paligjshme dhe do të ndëshkohet në përputhje me legjislacionin në fuqi. Institucionet e Republikës së Kosovës do të ndërmarrin veprime adekuate për zbatimin e këtij vendimi në përputhje me procedurat dhe kornizën ligjore relevante si dhe praktikat ndërkombëtare”, ka thënë ai.

Pas vendimit për shpalljen e këtyre dy organizatave terroriste, Sveçla ka thënë se qytetarët do të jenë më të qetë dhe të sigurt.

Sveçla: Ky vendim bën ndarjen e qartë mes qytetarëve tanë dhe grupeve terroriste

“Ky vendim bën përfundimisht ndarjen e qartë mes qytetarëve tanë në komunat veriore dhe grupeve apo entitetet terroriste, me qëllim të garantimit të jetës së qetë dhe të sigurt, si dhe të çlirimit të qytetarëve tanë nga shantazhet, kërcënimet dhe sulmeve të vazhdueshme nga këto grupe apo entitete terroriste. Aktet e terrorizimit paraqesin kërcënim global, ato nuk mund të parandalohen dhe luftohen vetëm”, ka shtuar Sveçla në konferencë për media.

Ai gjithashtu ka thënë se janë shpallur dy konkurse për komunitet jo-shumicë, janë dy konkurse për policët, ku sipas tij një numër i caktuar i pjesëtarëve kanë aplikuar.

Sveçla: Shumë shpejt policët serbë do të jenë pjesë e PK-së

“Tashmë trajnimi për kontingjentin e konkursit të parë është në përfundim e sipër, aty shumica janë serb më përkatësi etnike dhe shumë shpejt ata do të jenë pjesë e Policisë së Kosovës dhe do të shërbejnë në veri. Po ashtu edhe konkursi i dytë tashmë ka përfunduar në kuptimin e shprehjes së interesimit, aplikimit në të. Janë procedurat tjera të cilat, pastaj do të përcaktojnë se kush është i aftë për të qenë pjesë e Policisë së Kosovës”,ka thënë ministri i Punëve të Brendshme.

Ministri Xhelal Sveçla ka thënë se nuk është e pamundur hyrja e ndonjë elementi kriminal destabilizues rus dhe se për këtë nuk mund të garantojë.

Po ashtu, ka deklaruar se kufiri po ruhet më mirë se kurrë ndonjëherë.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shefit të mercenarëve rus, Yevgeny Prigozhin, i është thënë se…