Sveçla: VV-ja s’dëshiron ta përfshijë postin e Presidentit në negociatat për Qeveri me LDK-në

11 dhjetor 2019 | 00:00

Është raportuar se LDK-ja po insiston që në bisedimet për formimin e qeverisë të përfshihet edhe posti i presidentit të vendit. Për këtë çështje, anëtari i kryesisë së Vetëvendosjes!, Xhelal Sveçla, ka thënë se ka pasur diskutime të tilla, por se partia që ai përfaqëson nuk dëshiron përfshirjen e kësaj teme në këtë fazë.

“Qëndrimi i VV-së është i qartë që çështja e presidentit nuk duhet të diskutohet tani. Megjithatë, është çështje që duhet të zgjidhje mes dy liderëve, Kurtit e Mustafës”, u shpreh Sveçla.

Ai thotë se e mira e këtyre zgjedhjeve është se dy partitë, VV dhe LDK, janë pajtuar për programin e përbashkët që do të zbatohet nga ministrat e Qeverisë Kurti.

“Se kush çfarë ministrish do të marrë, varet nga negociatat. Nuk mjafton vetëm harmonizimi i programit, por standard i ri është kjo pjesa për të cilën është diskutuar tani, pjesa e harmonizimit të programit. Qeveritë e mëparshme s’kanë diskutuar kurrë për programin, por kanë kaluar direkt tek ndarja e posteve. Jam optimist se marrëveshja do të arrihet. Por, se si do të arrihet, varet nga bisedimet mes dy liderëve. Është në dorën e tyre tani”, shprehet ish-deputeti i VV-së. Ai thotë se posti i kryeministrit nuk është i barasvlershëm me postin e presidentit, të kryeparlamentari dhe të zëvendëskryeministrit, siç raportohet të ketë LDK-ja. Kjo pasi, siç tha ai, kryeministrin e ka zgjedhur elektorati.

“Nuk është e pranueshme dhe nuk është i barasvlershëm posti i kryeministrit me postin e presidentit, kryeparlamentarit e të zëvendëskryeministrit të parë. Por, zgjidhja do të gjendet, jo në këtë formë, por disi të gjendet. Në bisedimet që janë bërë, është përmendur që LDK-ja kërkon MPB-në, por s’mund ta them nëse kjo ministri do t’i takojë LDK-së. Nuk duhet harruar që udhëheqësi këtu është kryeministri Albin Kurti”, deklaroi Sveçla në emisionin “Interaktiv”.

Tutje, anëtari i Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Xhelal Sveçla, tha se oferta e VV-së për LDK-në është publike, duke ofruar postin e kryeparlamentarit, i cili sipas Kushtetutës, i takon partisë së parë.

“Oferta e VV-së është publike. Kemi thënë se çështja e presidentit do të duhej diskutuar kur të vjen koha. Kemi ofruar edhe postin e kryeparlamentarit, i cili sipas Kushtetueses i takon partisë së parë. Por, kemi dashur të kemi diskutim sa më të hapur, dhe kemi thënë, ‘në rregull, merreni kryeparlamnentarin dhe ministritë pastaj të ndahen’, por kërkesa e LDK-së ka qenë që të përfshihet edhe posti i presidentit dhe këtu kanë ndodhur ngecjet”, theksoi ai.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qindra qytetarë janë tubuar të martën në mbrëmje në sheshin…