Syla: Duhet të dyfishohet prodhimi që të kemi stabilitet financiar në “Trepçë”
Kryesuesi i Bordit të “Trepçës”, Ardian Syla, pas nënshkrimit të marrëveshjes sot me ministrin e Zhvillimit Ekonomik Valdrin Lluka, ka thënë se në “Trepçë”, duhet të dyfishohet prodhimi aktual, në mënyrë që sipas tij, të ketë stabilitet financiar. “Me prodhimin aktual, kjo ndihmë financiare i zbut problemet financiare për vetëm disa muaj pasi që pagat janë shpenzimi më i madh në ndërmarrje, kurse prodhimi nuk mbulon këtë shpenzim”.
Syla e ka falënderuar ministrin Lluka, për siç ka thënë ai “angazhimin tij të palodhshëm në funksionalizimin dhe rivitalizimin e “Trepçës”’.
Postim i plotë i Sylën në profilin e vet në “Facebook”:
Sot, së bashku me ministrin e Zhvillimit Ekonomik Valdrin Lluka dhe drejtorin e Departamentit të Minierave pranë MZhE-së, Skender Sallahi nënshkruam Marrëveshjen e Monitorimit dhe Kontrollit me të cilën ndërmarrja “Trepça”, vazhdon të përfitojë ndihmë financiare në kategoritë për investime kapitale, si dhe mjete për subvencione.
Falenderojmë ministrin Lluka për angazhimin e tij të palodhshëm në funksionalizimin dhe rivitalizimin e “Trepçës”.
Me prodhimin aktual, kjo ndihmë financiare i zbut problemet financiare për vetëm disa muaj pasi që pagat janë shpenzimi më i madh në ndërmarrje, kurse prodhimi nuk mbulon këtë shpenzim.
Prodhimi aktual duhet të dyfishohet në mënyrë që të kemi një gjendje stabile financiare dhe që “Trepça”, të jetë promotor i zhvillimit ekonomik duke ndihmuar ekonominë e Kosovës dhe jo të jetë barrë e shtetit të Kosovës.
/Epoka e re/