Syla: Ministria e Jashtme gënjeu, manastirit ia falen tokat, por kushtet s’janë plotësuar
Gazetari Valon Syla ka thënë se zëvendësministri i Jashtëm dje ka gënjyer së bashku me Ministrinë e Jashtme, të cilët thanë se kushti për Këshill të Evropës është plotësuar.
Syla në një postim në “Facebook” ka thënë se manastirit të Deçanit ia falen tokën, por kushtet s’janë plotësuar pas deklaratës së emisarit amerikan Gabriel Escobar që ka thënë se Kosova duhet t’i plotësojë edhe dy kushte për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
“Dje zëvendësministri i Jashtëm ka rrejt. Çka është më keq, edhe Ministria e Jashtme ka rrejt në një notë verbale duke insistuar që kushti për Këshill të Evropës është plotësuar. Manastirit ia falen tokat po kushtet s’janë plotësuar. Sepse kusht kryesor mbi kushte tjera është mos me rrejt. Me i ruajtur aleancat. Kjo qeveri ka rrejt po rren dhe po hup toka, aleate dhe miq. Dorëheqje menjëherë duhet se kjo është skandal i papamë. Kosova me këtë qeveri Kurti ka mbet fikall vet. Pa asnjë shok. Pa asnjë ndihmë. Mbreti Kurti është cullak, si ajo legjenda e vjetër cipridon cullak”, ka shkruar Syla në “Facebook”.
Zëvendësministri i jashtëm, Kreshnik Ahmeti, dje ka thënë se ndër tri kushtet që kanë pasur nga KiE ishte edhe prona për manastirin e Deçanit, kusht i cili sipas tij, nga dje është përmbushur dhe se pritet që këtë vit Kosova të anëtarësohet në KiE.
“Nga ato tri kushte ishte edhe kjo për pronën e manastirit dhe si e tillë që nga dje ky kusht është plotësuar, dhe se çështja standardeve dhe kritereve tashme është përmbushur dhe ajo që duhet të ndodhë janë hapat që do t’i ndërmarr KiE që të sigurohet anëtarësimi i Kosovës këtë vit”, ka thënë Ahmeti në “RTK”.