Syla: Ministri Vitia ka injoruar çdo mjek dhe infermier
Punëtorët shëndetësor kanë protestuar sot para Ministrisë së Shëndetësisë për shkak të pakënaqësive kundrejt ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, lidhur me menaxhimin e pandemisë Covid-19.
Me këtë rast, kryetari Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës (FSSHK), Blerim Syla, ka thënë se Vitia ka neglizhuar dhe injoruar çdo mjek e infermier.
“Nga këtu, përmes mediave, i bëj thirrje ministrit Vitia, që të kthejë sytë nga punëtorët. Ai u tregua neglizhent. Injoroi çdo mjek e çdo infermier. Kjo është arsyeja pse po protestojmë. Kjo nuk do të jetë e vetmja e ditës, pasi edhe nga ora 13:00 do të jemi para kryeministrisë. Thjesht duam të përçojmë mesazh tek ai”, ka deklaruar Syla.
Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës (FSSHK), nga ora 13:00 do të protestojë para Qeverisë, Kuvendit dhe Presidencës.
Kërkesat e Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës për Qeverinë e Republikës së Kosovës janë: Ligji mbi Pagat dhe shtesat mbi pagë bazuar në Ligjin për luftimin dhe parandalimin e pandemisë.