Syla: Rusia dhe Kina, shkaktare të krizës energjetike në botë
Partneri menaxhues i kompanisë Elen, Lulzim Syla në një intervistë për Telegrafin ka thënë se Rusia dhe Kina janë shkaktaret kryesore të krizës energjetike në botë.
Sipas Sylës, kjo është e qëllimshme, ku është shkëputur zinxhiri i furnizimit në nivel botëror.
“Pandemia COVID-19 ka shkaktuar kriza të gjithanshme, njëra prej këtyre është edhe energjetika. Kriza e energjisë është shkaktuar nga këputja e zinxhirit të furnizimit në nivel botëror. Si shkaktar kryesor është Kina, si një prej vendeve më të mëdha të pjesëmarrjes së Produktit të Brendshëm Bruto, përkatësisht prodhimit e cila Evropa është varur nga këto produkte. Si pasojë e kësaj kjo vjen edhe nga Rusia, e cila e destabilizon tregun gjatë këtij viti, përmes ndërprerjes së kapaciteteve të gazit. Kjo është e qëllimshme”, tha Syla.
Ai duke folur për gjendjen aktuale në Kosovë, është shprehur se vendi ynë është e varur nga importi i energjisë elektrike, duke shtuar se institucionet duhet të gjejnë mundësi të reja për furnizim.
“Sa i përket efektit të ndjeshmërisë së rritjes së çmimit në tregun botëror, te ne për fat na ka prekur vetëm një komponentë, që duket importi i energjisë elektrike. Ne si Kosovë përmes importit të energjisë jemi afektuar drejtpërdrejt, qoftë konsumatori i fundit, amvisëritë dhe qoftë bizneset, me rritjen e çmimit të energjisë që mund të ndodh në periudhën e afërt, shkaku që deri më tani KEDS dhe institucionet tjera kanë pasur një pajtueshmëri të brendshme që mos të ketë rritje të menjëhershme të çmimit të energjisë”, është shprehur ai.
“Çmimi i importit të energjisë ka arritur deri 250 euro, deri në 300 euro për MegaWatt në këtë kohë, që është pesëfishë më shumë krahasuar me vitin paraprak. Në rastin e Kosovës, KEDS-i e ka një kontratë monopolistike të shpërndarjes së energjisë në treg. Kjo ka nevojë të rishqyrtohen nga institucionet e vendit me qëllim të diversifikimit të furnizimit me energji elektrike. Ky veprim duhet të reflektoj në çmime”, ka treguar Syla.
Në fund, ai ka theksuar se mbi bazën e kapaciteteve ekzistuese, Kosova duhet të fokusohet në pjesën e efeciencës së energjisë dhe investimet në rrjetin e shpërndarjes.
“Kosova ka mundësi të shfrytëzimit të alternativave me energji elektrike. Nëse flasim mbi bazën e kapaciteteve ekzistuese, në afat të shkurtër për zgjidhjen e problemit të pjesshëm duhet të fokusohet në pjesën e efeciencës së energjisë dhe investimet në rrjetin e shpërndarjes. Për shkak se humbjet e fundit kanë qenë në 25.89 për qind”, ka përfunduar ai. /Telegrafi/