Syla: Sfida e integrimit të pjesës veriore s’ka kaluar pa u vërejtur
Kryesuesi i Bordit Mbikëqyrës në “Trepçë”, Ardian Syla, ka thënë se kjo ndërmarrje është regjistruar si shoqëri aksionare me të gjitha asetetet dhe njësitë biznesore në tërë territorin e Kosovës. Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se njësitë biznesore dhe asetet siç janë minierat me flotacion kopaonik, metalurgjia e plumbit, laboratori në Zveçan, kompleksi administrativ në Zveçan, janë të përfshira në certifikatën e biznesit të “Trepça” sh. a. Syla ka bërë me dije se tani do ta fillojnë fazën e dytë të kompletimit të listës së aksionarëve në njësitë e tjera.
“Epoka e re”: Z. Syla, javën që lamë pas “Trepça” u regjistrua si shoqëri aksionare. Nga prizmi juaj, çfarë e ardhme e pret “Trepçën”?
Syla: Me regjistrimin e ndërmarrjes “Trepça” shoqëri aksionare ka përfunduar një proces dhe obligim ligjor i cili ka filluar në muajin maj të vitit 2018. Fatkeqësisht, ka qenë një proces i stërzgjatur. Fatmirësisht, tani ky proces ka përfunduar dhe “Trepça” sh. a. është regjistruar konform Ligjit për “Trepçën” dhe statutit të miratuar në Kuvend. Me regjistrimin e ndërmarrjes është hapur rruga për përzgjedhjen e bordit menaxhues të “Trepça” sh. a., obligim ligjor dhe më se i domosdoshëm që parashihet me ligj. Pas përzgjedhjes së bordit menaxhues përmes konkursit publik, sipas legjislacionit në fuqi, kompletohet qeverisja e ndërmarrjes. Bordi menaxhues ka për obligim përgatitjen e planeve dhe projekteve investuese nëpër njësitë përkatëse të cilat më pastaj aprovohen nga Bordi Mbikëqyrës. Angazhimi ynë maksimal do të jetë të kemi një menaxhment profesional dhe vizionar për ta avancuar gjendjen në “Trepça” sh. a. Pas përfundimit të fazës së përzgjedhjes së Bordit Menaxhues, planifikojmë të bëjmë një studim fizibiliteti si dhe vlerësim të aseteve të “Trepçës” në tërësi. Me studimin e fizibilitetit do të kemi një pasqyrë reale të gjendjes në ndërmarrje që do të na mundësojë ndërmarrjen e hapave të nevojshëm në rivitalizimin e njësive të “Trepçës”. Për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik të ndërmarrjes duhen patjetër investime në miniera me flotacione, të cilat janë asetet thelbësore të “Trepça” sh. a. Investimet në miniera, duke rritur kapacitetet prodhuese, gjenerojnë vende të reja të punës dhe krijojnë parakushtet për funksionalizimin e njësive biznesore në kuadër të “Trepça” sh. a. Rruga drejt investimeve të reja, sikurse ajo e rivitalizimit të njësive, kalon përmes studimit të fizibilitetit.
“Epoka e re”: Sa ishin sfiduese për ju hapat deri te certifikimi, përkatësisht regjistrimi, marrë parasysh rrethanat kronologjike që ishin?
Syla: Marrë parasysh rrethanat kronologjike, propozimi i statutit dhe miratimi nga Kuvendi i Kosovës e deri te regjistrimi i ndërmarrjes, ka qenë një proces sfidues për shkak të specifikave të ndërmarrjes, pasi Ligji për “Trepçën” ka definuar saktë njësitë biznesore të cilat do të duhej të transformoheshin në “Trepça” sh. a. Njësitë biznesore, sipas ligjit, do të duhej të ishin minierat me flotacione të cilat janë asetet thelbësore të ndërmarrjes dhe prej të cilave gjenerohen të hyra. Por, grupet punuese të emëruara nga Qeveria kanë rekomanduar edhe dhjetë njësi të tjera biznesore në kuadër të shoqërisë aksionare. Puna e grupeve punuese në afat prej tre muajsh, shkuarja e statutit në Komision Parlamentar e deri në miratimin nga Kuvendi, bëri që të kemi vonesa në regjistrimin e ndërmarrjes. Keni parasysh “Trepça” sh. a. është modeli i vetëm i një ndërmarrje publike në Kosovë, ku punëtorët janë aksionarë. Kjo ka bërë që të kishte sfida për bordin mbikëqyrës si dhe institucionet e Qeverisë. Edhe procesi i futjes së të dhënave të të gjithë aksionarëve dhe procesi në tërësi i regjistrimit të një shoqërie aksionare ka zgjatur më shumë sesa duhej.
“Epoka e re”: A janë regjistruar të gjithë punëtorët e “Trepçës” si aksionarë të 20 përqindëshit që u takon?
Syla: Me Ligjin për “Trepçën” parashihen dy aksionarë, Qeveria me 80 për qind dhe punëtorët në njësitë përkatëse me 20 për qind. Me kërkesë të Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve (ARBRK), lidhur me dokumentacionin e nevojshëm, formuam një grup punues që kishte për obligim krijimin e dosjes për secilin punëtor në njësitë e “Trepçës”. Me rastin e dorëzimit të dosjes pranë ARBK-së, kemi hasur në disa probleme, kryesisht me validitetin e dokumentacionit të të punësuarve. Dokumentacioni, i cili s’ka qenë në rregull, për arsye të ndryshme, është eliminuar dhe në këtë fazë janë regjistruar rreth 70 për qind të të punësuarve. Këto ditë fillon faza e dytë e përgatitjes së dosjeve të të punësuarve të tjerë të cilët do të dorëzohen brenda pak kohe pranë ARBK-së për plotësimin e listës së aksionarëve.
“Epoka e re”: A janë përfshirë dhe punëtorët e “Trepçës” në veri?
Syla: Sfida e integrimit të pjesës veriore edhe në këtë aspekt nuk ka kaluar pa u vërejtur. Gjithsesi, bordi mbikëqyrës, së bashku me MZhE-në, ka bërë përpjekje maksimale nga fillimi i punës për inkuadrimin e minierave me flotacion në kopaonik por që, për arsye të ndryshme, kanë refuzuar bashkëpunimin me Bordin Mbikëqyrës, kryesisht në nivelin e mikromenaxhimit të ndërmarrjes. Në nivelin e makromenaxhimit, minierat me flotacion në kopaonik bashkëpunojnë me institucionet përkatëse të Qeverisë së Kosovës, pasi që marrin aprovimet e duhura për t’i bërë eksportet e koncentrateve, si dhe u nënshtrohen të gjitha kushteve për licencimin nga Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale. Lidhur me këtë, gjatë regjistrimit të njësive biznesore s’janë përfshirë punëtorët e “Trepçës” në veri, pasi nuk e kanë dorëzuar dokumentacionin e kërkuar. Duke parë që njësia në fjalë s’ka ofruar bashkëpunimin e kërkuar, kemi vendosur që mos të mbetemi peng i njësisë, duke vazhduar regjistrimin e të gjitha njësive të tjera. Mirëpo, njësitë biznesore dhe asetet, siç janë minierat me flotacion kopaonik, metalurgjia e plumbit, laboratori në Zveçan, kompleksi administrativ në Zveçan, janë të përfshira në certifikatën e biznesit të “Trepça” sh. a. Aksionari kryesor, Qeveria e Kosovës, figuron si aksionare prej 80 përqindësh dhe ka mbetur vetëm edhe dorëzimi i listave të të punësuarve si aksionari i dytë. Por, tani fillojmë fazën e dytë të kompletimit të listës së aksionarëve në njësitë e tjera dhe ne si Bord Mbikëqyrës do të kërkojmë prapë dokumentacionin e nevojshëm për regjistrimin e punëtorëve të njësisë minierat me flotacion kopaonik – Leposaviq. Transformimi i tillë i ndërmarrjes “Trepça”, besoj se përmes aktivitetit dhe bashkëpunimit të domosdoshëm ekonomik të Qeverisë dhe punëtorëve si aksionarë në të gjitha njësitë e “Trepçës”, do të ndikojë në zbutjen e raporteve dhe pashmangshmërisht do ta stabilizojë gjendjen që kemi tani. Fundja, ekonomia nuk nënkupton vetëm mirëqenie. Ajo ka edhe dimensionin social dhe kulturor, që përmes zhvillimit të “Trepça” sh. a. dhe rritjes së kapaciteteve të saj, edhe ky aspekt do të avancohet.
“Epoka e re”: Ju së bashku me një delegacion të Kosovës morët pjesë në konferencën ndërkombëtare të minierave dhe mineraleve ‘PDAC 2019’ në Kanada. Na tregoni çfarë përfitimesh pritët t’i sjellë Kosovës kjo konferencë?
Syla: Kosova u përfaqësua nga nivelet më të larta dhe profesionale në konferencën më të madhe të minierave dhe mineraleve “Prospectors dhe Developers Association of Canada”. Përfaqësimi përbëhej nga ministri i Zhvillimit Ekonomik, kryetarja e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, kryesuesi i Bordit të Trepçës, kryesuesi i Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale si dhe konsulli i përgjithshëm në Toronto. Ne kishim rastin të prezantojmë para delegacioneve botërore dhe investitorëve potencialë në fushën e minierave dhe mineraleve mundësitë që ofron legjislacioni në Kosovë dhe pasuritë nëntokësore. Interesimi i investitorëve për sektorin e minierave dhe mineraleve ishte i jashtëzakonshëm. Në këtë konferencë treditore patëm rastin të zhvillojmë takime individuale dhe bashkëbisedime me kompani me renome ndërkombëtare si dhe delegacione të ndryshme shtetërore.
“Epoka e re”: Në shtator është paralajmëruar një vizitë e 20 investitorëve kanadezë. Çfarë pritje keni nga kjo vizitë?
Syla: Kompanitë dhe investitorët kanadezë në sektorin e minierave dhe mineraleve ishin në Kosovë tani e sa kohë. Gjatë vizitës në Kanada takuam edhe njërën nga kompanitë hulumtuese kanadeze e cila, gjatë hulumtimeve të bëra në Kosovë, zbuloi një sasi të përafërt prej rreth katër tonë ari në fshatin Slivovë. Prandaj, ky hulumtim dhe zbulim paraqet një shembull të mirë për gjithë investitorët potencialë. Ardhja e investitorëve kanadezë do të jetë e rëndësishme për forcimin e marrëdhënieve ekonomike në mes të dy shteteve. Legjislacioni i Kosovës ofron mundësi të shumta për investitorët potencialë, marrë parasysh që investitorët janë të njoftuar me këtë legjislacion siç është Ligji për Investime Strategjike, si dhe Ligji për “Trepçën”. Presim që të konkretizojmë investime në sektorin e minierave dhe mineraleve.
Auditimi do ta lehtësonte punën në “Trepçë”
“Epoka e re”: Ministri i MZhE-së ka bërë kërkesë për auditim të “Trepçës”. A ka filluar auditimi?
Syla: Bordi Mbikëqyrës, në koordinim me ministrin e Zhvillimit Ekonomik, z. Lluka, u janë drejtuar Auditorit të Përgjithshëm të Kosovës për ta filluar auditimin në Ndërmarrjen “Trepça”, me rastin e regjistrimit si shoqëri aksionare, pasi auditimi do të na lehtësonte punën si dhe do të pasqyronte një gjendje financiare dhe operative të ndërmarrjes që do të ishte e nevojshme edhe për aksionarët. Fatkeqësisht, për arsye të ndryshme, Auditori i Përgjithshëm ka refuzuar kërkesën për këtë periudhë. Arsyeja kryesore e refuzimit të kërkesës ishte mungesa e pasqyrave të konsoliduara financiare të ndërmarrjes si tërësi. Auditori e ka lënë mundësinë e hapur që menjëherë pas regjistrimit ta fusë në planin vjetor edhe “Trepçën”. Bordi Mbikëqyrës do ta ripërsërisë kërkesën tek Auditori menjëherë pas konsolidimit të pasqyrave financiare dhe plotësimit të kushteve të tjera.
(Albulena S. MAVRAJ)