Syla: Sot të gjithë punëtorët e ‘Trepçës’ i marrin pagat
Drejtori i Bordit të “Trepçës”, Ardian Syla, ka konfirmuar për gazetën “Epoka e re” se sot do t’i marrin pagat të gjithë punëtorët e “Trepçës”.
“Ashtu siç ju kam paralajmëruar se pagat do të dalin, të hënë ose më së largu deri të martën një gjë e tillë edhe ndodhi. Sot janë transferuar në llogarinë e ‘Trepçës’ paratë nga Qeveria e Kosovës, andaj është çështje minutash deri sa të shpërndahen pagat në xhirollogaritë e punëtorëve. Kjo vonesë ka ndodhur edhe për njësitë e tjera të ‘Trepçës’ që nuk i kanë marrë pagat deri më sot. Kjo ka ndodhur për shkak se ‘Trepça’ sapo është regjistruar si Shoqëri Aksionare dhe natyrisht që kanë marrë kohë procedurat administrative deri në transformim e mjeteve”, ka thënë Syla, duke u shprehur optimist se nuk do të ketë më vonesa të pagave gjatë këtij viti.
Rikujtojmë se deri më tani vetëm punëtorët e Minierës me Flotacion në Stan Tërg i kanë marrë pagat e muajit të kaluar, por jo edhe ata të njësive tjera biznesore në “Trepçë”.
/Epoka e re/ A.Mavraj/