Syla: Stafi shëndetësor është i stërlodhur dhe i mbingarkuar
Stafi shëndetësor është stërlodhur dhe është i mbingarkuar pas rritjes së numrit të të infektuarve me koronavirus në Kosovë.
Kështu thotë për “Radion Evropa e Lirë”, kryetari i Sindikatës së Punëtorëve Shëndetësorë, Blerim Syla, i cili thotë se deri para dy ditësh, 257 punëtorë shëndetësorë janë konfirmuar me sëmundjen Covid-19, që e shkakton koronavirusi, por që sipas tij, ky numër tashmë mund të ketë arritur deri në 300.
“Unë nuk dua të përhap panik që është duke dalë situata prej kontrollit, mirëpo unë mund të them se jemi duke i stërmbushur kapacitetet, ato që i kemi ne. Sipas statistikave që i posedon Federata Sindikale e Shëndetësisë, në Kosovë i kemi të përgatitur diku 401 shtretër, në krejt Kosovën, sa i përket atyre që duhet të trajtohen me Covid-19.Mirëpo, problemi qëndron te stafi sepse ky staf është stërlodhur dhe është i mbingarkuar”, është shprehur Syla.
Syla thotë se i gjithë problemi qëndron se Kosova nuk ka staf të mjaftueshëm që të trajtojë pacientët me Covid-19.
“Sa i përket situatës nëpër klinika, ju e dini që ka pasur disa tendenca për dhënien e shërbimeve edhe nëpër spitale të tjera. Mirëpo problem e kemi sepse nuk kemi shumë staf. Po ua marr rastin e Gjakovës. Atje pardje kemi pasur katër punëtorë shëndetësorë të infektuar, ndërsa kemi nëntë pacientë që janë duke e marrë trajtimin. Pra, situata nuk është e mirë, është një situatë goxha e rëndë dhe kjo është pasojë e të gjithëve”, ka thënë Syla.