Kërkohet që “Trepçës” t’i hapet rruga e zhvillimit ekonomik
Komisioni Parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal, ka mbajtur të hënën mbledhjen e rregullt, në të cilën është shqyrtuar projektstatuti i ndërmarrjes “Trepça”.
Kryetari i Bordit të “Trepçës”, Ardian Syla, ka thënë se prej që është miratuar Ligji është ndërmarrë vetëm një hap, ai i formimit të bordit. “Prej atëherë si bord kemi pasur takime intensive dhe detyrë primare ka qenë hartimi i draft-statutit”, ka thënë Syla.
Ai ka apeluar që ky draft-statut të kalojë sa më shpejt në mënyrë që “Trepçës” t’i hapet rruga e zhvillimit.
“Ky statut duhet të kalojë sa më shpejt në mënyrë që t’i hapet rrugë regjistrimit të shoqërive aksionare siç është paraparë me ligj”, ka thënë Syla.
Kurse kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Trepçës, Shyqyri Sadiku, ka thënë se draft-statuti nuk është punuar nga bordi por, sipas tij, ka shkuar dokument i gatshëm nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik (MZhE).
Ai ka thënë se kjo paraqet shkelje ligjore. “Ne jemi aksionarë dhe askush nuk na ka marrë parasysh si sindikatë. Ky është shqetësimi ynë më i madh. Ligji për ‘Trepçën’ thotë se e obligon bordin ta bëjë statutin dhe jo dikush tjetër”, ka thënë ai.
Ibrahim Rexhepi nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik ka sqaruar draft-statutin e ndërmarrjes “Trepça”.
Ai ka bërë me dije se një gjë e tillë është bërë për ta respektuar afatin kohor.
“Ka vonesa që nga viti 2016 dhe për shkak të këtyre vonesave qasja e ministrisë ka qenë që të formohet një statut”, ka thënë Rexhepi.
Ndërsa Naser Peci, anëtar i bordit mbikëqyrës të ndërmarrjes “Trepça”, ka thënë se ky draft-statut nuk është përfundimtar. “Dikush është duke e konsideruar si dokument përfundimtar, por për mua është dokument themeltar. ‘Trepça’ është ndërmarrje nacionale dhe të gjitha çështjet i zgjidhim së bashku”, ka thënë ai.
Pas gati dy orësh diskutimi, deputetja Duda Balje ka propozuar që për këtë çështje të formohet një grup punues dhe të harmonizohen të gjitha çështjet.
Propozimi i saj u pranua nga të gjithë anëtarët e komisionit dhe u vendos të formohet një grup punues. Deputetja Mimoza Kusari-Lila ka propozuar që përmes një neni të veçantë të hyjnë të gjitha pasuritë që ka “Trepça”.
(A. MAVRAJ)