Sylejman Selimi e kryen me Hagën, thotë se Specialja i ka pushuar të gjitha procedurat hetimore ndaj tij

13 shkurt 2025 | 15:11

Ish-komandanti i Zonës Operative të Drenicës dhe ish-komandanti i përgjithshëm i UÇK-së, Sylejman Selimi ka përfunduar dëshminë në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veseli, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Pas përfundimit të dëshmirë, Selimi bëri një deklaratë ku tha se të gjitha procedurat hetimore ndaj tij kanë pushuar meqë gjatë procedurës pranë Dhomave të Specializuara ai ka pasë statusin e personit të dyshuar.

“Sot përfundova dëshminë time në Gjykatën Speciale në rastin ndaj z. Thaçi dhe të tjerëve. Pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë qenë dhe mbeten të përkushtuar ndaj drejtësisë, dhe këtë parim e kam dëshmuar edhe gjatë paraqitjes sime para trupit gjykues. Gjatë procedurës pranë Dhomave të Specializuara, kam pasur edhe statusin e personit të dyshuar. Me këtë rast, dëshiroj të informoj publikun se të gjitha procedurat hetimore ndaj meje kanë pushuar”, ka shkruar ai.

Ai ka falënderuar edhe avokatin e tij, Artan Qerkini.

“Gjithashtu, shpreh mirënjohjen time për avokatin tim, z. Artan Qerkini, për këshillat profesionale dhe angazhimin e tij të palëkundur në mbrojtjen e të drejtave të mia gjatë gjithë procesit pranë Dhomave të Specializuara”.

Gjatë fundit të dëshmisë së tij, Selimi u mor në pyetje nga tri ekipet mbrojtëse, përveç atij të Rexhep Selimit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Tashmë janë kompletuar tetë skuadrat çerekfinaliste të Kupës së Kosovës.…