Sylejman Selimi intervistohet si i dyshuar nga Gjykata Speciale (Video)
Ish-komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sylejman Selimi, është intervistuar të mërkurën në zyrat e EULEX-it nga Gjykata Speciale si i dyshuar.
Kjo është bërë me dije në një konferencë për medie nga avokatët e Sylejman Selimit, Tomë Gashi dhe Gregor Guy Smith, ku ky i fundit ka thënë se Selimi ka dhënë deklaratën e tij për pyetjet e shtruara dhe kjo çështje për momentin ka përfunduar.
Ndërsa avokati tjetër, Tomë Gashi, ka thënë se klienti i tij është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit, por sipas tij nuk ka arsye juridike që ndaj tij të ngrihet ndonjë akuzë.
.Ish-komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sylejman Selimi, më 25 janar të këtij viti është liruar me kusht nga vuajtja e dënimit prej 6 vitesh burgim pasi kishte kaluar mbi 5 vjet në burg.