Sylejman Selimi me porosi nga burgu për organizatorët e protestës
Ish-komandanti i UÇK-së Syleman Selimi dhe Jahir Demaku, janë deklaruar kundër mbajtjes së protestës të paralajmëruar nga një grup qytetarësh, për datën 19 shtator para Pallatit të Drejtësisë, për lirimin e tyre.
Selimi dhe Demaku përmes një letre kanë shprehur pikëpamjet e tyre karshi kësaj proteste, të cilën e cilësuan si mjet jo të nevojshëm për lirimin e tyre.
Ata kanë thënë se presin nga organet e drejtësisë të veprojnë në përputhje me ligjin.
“Pas paralajmërimit në media për organizimin e një proteste me datën 19 të tkëtij muaji ora 12 para Pallatit të Drejtësisë falenderojmë të gjithë ata që shprehen mbështetje me të drejtën tonë, e kuptojmë edhe shqetësimin real të tyre dhe gatishmërinë për kontribut në sensibilizim të opinonit.
Ne jemi duke u mbajtur në burgun e Dubravës padrejtësisht pa kurrfar baze ligjore. Kjo tani më është e qartë edhe nga vendimet e gjykatave kompetente të cilat kanë anuluar vendimet e gjykatave paraprake në rastin e njohur në opinon si Drenica 1 dhe 2.
Ne nuk i shohim protestat si të nevojshme dhe as si mënyrë e duhur për këtë rast e në këto rrethana.
Ne presim nga organet e drejtësisë të veprojnë në përputhje me ligjin dhe në respektim të drejtës sonë si qytetar të dinitetshëm të këtij vendi.
Me respekt Sylejman Selimi dhe Jahir Demaku 16/09/2018”, thuhet në letrën e siguruar nga GazetaBlic.
Ndryshe, organizatorët kane dashur të njihen vetëm si disa njerëz që i mbrojnë çlirimtarët.
Me moton “Duam Drejtësi për Çlirimtarët”, protesta do të mbahet të mërkurën në orën 12 te Pallati i Drejtësisë në Hajvali të Prishtinës, aty ku janë shumica e institucioneve të drejtësisë, përfshirë gjykata e prokurori.
“Ju njoftojmë se me datën 19.09.2018 dite e merkure nga ora 12:00, do të mbahet Protestë Paqësore në Prishtinë, para Pallatit te Drejtësisë duke kërkuar Lirimin e menjehershem nga Burgu për Çlirimtaret tonë Komandantin e përgjithshëm të UÇK-së Gjeneral Sylejman Selimin,Kolonel Jahir Demaku dhe gjithë bashkëluftëtarët e tyre qe po mbahen padrejtësisht në burgjet e Kosovës pa kurrfarë Baze Ligjore. Keshilli organizativ për të Drejta të Çlirimtarve. –Motoja e protestës Duam Drejtësi për Çlirimtarët!”, thuhet më tej në njoftim.
Kujtojmë, se Sylejman Selimi bashkë edhe me disa ish-luftëtarë tjerë të UÇK-së, ishin dënuar në një proces të gjatë i njohur si “Drenica 2”.
Ish-shefi i UÇK-së në kohën kur është ballafaquar me akuza për krime lufte ka mbajtur pozitën e Ambasadorit të Republikës së Kosovës në Shqipëri.