Sylejman Selimi po mbahet në burg me prapavijë politike
Avokati Tomë Gashi ka bërë me dije se pa aktgjykim të plotfuqishëm mbajtja e klientit të tij, Sylejman Selimit, në vuajtje të dënimit, është shkelje e Kodit Penal, e Kodit të Procedurës Penale, e Kushtetutës së Kosovës si dhe e të gjitha konventave ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut të cilat Kosova i ka inkorporuar në sistemin juridik.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se Selimi është duke u mbajtur në burg për arsye me prapavijë politike.
Gashi ka theksuar se ekipi mbrojtës po bën çdo gjë në aspektin juridik që Selimi të lirohet sa më shpejt por, sipas tij, ai po mbahet në vuajtje të dënimit inekzistent pa aktgjykim të plotfuqishëm.
“Gjykata Supreme e Kosovës sipas vetë gjeneral Sylejman Selimit nuk po e liron atë, sepse ky rast ka motive politike dhe prapa aktgjykimit të mëhershëm me të cilin është dënuar Sylejman Selimi dhe të tjerët në rastin ‘Drenica’ kanë qëndruar arsyet politike. Nuk ka pasur asnjë arsye as që të dënohet Syljeman Selimi me deklaratë të një personi me diagnozë të skizofrenisë, e cila është vërtetuar edhe nga ekspertët e psikiatrisë gjatë gjykimit. Rasti i z. Sylejman Selimi më 11 qershor 2018 është kthyer në rigjykim dhe rivendosje nga vetë Gjykata Supreme e Kosovës, duke i anuluar të gjitha aktgjykimet e mëhershme dënuese kundër tij. Që nga kjo datë nuk ka pasur asnjë arsye ligjore që z. Sylejman Selimi të mbetet në burg në vuajtje të dënimit pa aktgjykim të plotfuqishëm”, ka thënë Gashi.
(Intervistën e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të gazetës “Epoka e re”)