Sylvie Briand (OBSH): Kjo është si një luftë guerile
Dr Sylvie Briand është drejtore e Departamentit Global të Përgatitjes për Rreziqe Infektive në Organizatën Botërore të Shëndetit (OBSH), u bën thirrje shteteve të veprojnë shpejt dhe të përshtaten shpejt nëse është e nevojshme.
A ju surprizon shkalla e kësaj pandemie (qindra mijëra të prekur e mijëra vdekje)?
Ne nuk prisnim të arrinim në shifra të tilla. Por ne e dimë që viruset e frymëmarrjes kanë përhapje të shpejtë. Fryma është jeta. Nuk mund t’i ndalosh njerëzit të marrin frymë, dhe kur marrin frymë ata infektohen. Prandaj viruset janë të vështira për tu kontrolluar.
A mund ta frenojmë këtë epidemi?
Është e mundur që të ndalohet transmetimi. Në veri të Italisë, një qytet i vogël ka arritur ta bëjë gjithë atë tragjedi; kështu që kufizimi i zonave gjeografike do të ishte mjaft e mundshme për ta minimizuar. Shpresojmë që kjo të bëhet në vendet që kanë ende pak raste. Ndërsa për ata që kanë hyrë tashmë në fazën eksponenciale të përhapjes, do të jetë e vështirë që të kthehen shpejt në nivelin zero.
OBSH u ka bërë thirrje vendeve të marrin “masat më të guximshme të mundshme” kundër Covid19. Sa larg duhet shkuar?
Thirrja e OBSH-së thotë: “Nëse doni që gjërat të shkojnë mirë në tre javët në vijim, duhet të veproni tani. Ju nuk duhet të prisni deri kur të jeni me shpatulla për muri. Ne e dhamë alarmin që në fund të janarit, por shumë shtete nuk e morën si diçka serioze. Sfida është të binden njerëzit që të veprojnë tani, sa më shumë ta ruajnë këtë qëndrim parandalimi, aq më pak rreziqe do të vijnë.
Shohim praktika shumë të ndryshme: diku kufizime të thella, diku testime massive e diku mbyllje të kufijve. Si mund të ndikojë OBSH për të adoptuar praktikat më të mira?
Ne ndajmë informacione në mënyrë që të gjithë anëtarët të marrin vendime mbi një bazë të përbashkët. Por ne nuk jemi një ushtri. Ne nuk mund t’i kërkojmë të gjithëve të bëjnë njëlloj.
Në vende të caktuara nordike, pati një bast për imunitetin kolektiv? A paraqet rreziqe kjo?
Do ta zbulojmë në tre javë ose një muaj. Epidemia po përparon shumë shpejt, kështu që ne nuk kemi kohë të ulemi përditë për të diskutuar strategjitë. Por të paktën ne do të donim që shtetet të dokumentojnë atë që bëjnë, të maten treguesit për të parë se çfarë po funksionon dhe çfarë jo. Kjo nuk është një luftë klasike, kjo ngjan më shumë me një luftë guerile. Duhet të jemi fleksibël, të marrim vendime të shpejta dhe t’i ndryshojmë shpejt nëse diçka nuk funksionon. Kjo është arsyeja pse OBSH po kërkon sa më shumë testime. Sepse kur testojmë, e kuptojmë më mirë virusin dhe dinamikën e tij.
Rastet e para të Covid19 u raportuan në dhjetor në Kinë. A u nënvlerësua ai dhe u humb një kohë e çmuar?
Shumë vështirë ta thuash sepse është një virus i ri. Ne nuk e njohim atë. Kina mori masa të forta shumë shpejt. Dikush mund të tundohet të thotë se ishte e menaxhueshme. Ne mësuam pak nga pak.
Si e shpjegoni se disa vende preken më shumë se të tjerët? Pothuajse zero raste në Rusi.
Këto janë hipoteza, por ekzistojnë dy dukuri. Fenomeni i intensitetit të prezantimit të virusit, në fillim. Është një fenomen statistikor, nëse infektohen 100 pacientë në një vend e nëse vetëm një në një vend tjetër kjo nuk është e njëjta gjë. Fenomeni i dytë i rëndësishëm është ngjarja që sjell përhapjen në një vend. Kjo u pa në Korenë e Jugut, një takim ungjillor nisi epideminë në gjithë vendin. Në mungesë të një ngjarje të tillë, nëse transmetimi bëhet nga një person i vetëm edhe përhapja është më e ngadaltë.
Kina thotë se pas shtatë javë luftimesh epidemia do të jetë nën kontroll. Cili është realiteti atje?
Në Wuhan, epiqendra e epidemisë, kontrollet janë ende në fuqi. Kjo jep një ide për shtrirjen e përpjekjes që duhet bërë dhe kohëzgjatjen e tyre sepse, edhe nëse nuk ka më raste të reja endogjene, kjo nuk do të thotë që virusi nuk vazhdon të qarkullojë dhe se nuk ekziston rreziku i rikthimit.
A vijoni të mendoni se Kina u përgjigj mirë, kur u deshën tre javë për të ndarë informacione mbi këtë koronavirus?
Ne po mundohemi ta anashkalojmë luftën ideologjike, epidemia kërkon lloje të tjera diskutimesh. Ne po mundohemi të përqendrohemi tek problemi i mëposhtëm: fakti që po qarkullon një virus i ri, i rrezikshëm, dhe ne po mundohemi të përcaktojmë gjërat më të mira për ta parandaluar. Ne duhet të jemi të qartë: nuk kemi ende një vaksinë, ende nuk ka trajtim. Ne jemi akoma në periudhën e plotë të rrezikut. Do të kemi mjaft kohë pas kësaj krize për të rishikuar historinë e saj.
Ku janë hulumtimet për një vaksinë?
Kërkimet janë përshpejtuar, shumë vende po punojnë dhe kanë dhënë shumë fonde. Por ne kurrë nuk mund të kërkojmë që të shkurtojmë afatet, pasi një vaksinë mbetet një produkt biologjik, dhe ka aspekte të sigurisë që duhen respektuar patjetër./Le Monde/Përgatiti: Mapo