Sylvinho dhe Bare: Të kompletojmë misionin për ta mbyllur të parët
Trajneri i kombëtares shqiptare të futbollit, Sylvinho dhe mesfushori kuqezi, Keidi Bare kanë dalë pasditen e kësaj të diele në një konferencë para ndeshjes kualifikuese me Ishujt Farore në ditën e nesërme në Air Albania.
“Vijmë në këtë sfidë në kushte shumë të mira. Dua të falënderoj shqiptarët dhe tifozët që na kanë mbështetur dhe kemi arritur këtu. Arritëm kualifikimin, festuam me tifozët dhe u kthyem këtu se kemi menduar vetëm për ndeshjen me ishujt farore, është ekip i vështirë. Objektivi ynë i dytë është të arrimë vendin e parë në grup se do ishte shumë bukur që të kishim mundësi që në short të kishim një mundësi tjetër. Duhet të bëjmë një paraqitje sa më të mirë dhe ta mbyllim me fitore“, tha Sylvinho
Keidi Bare ndërkohë tha se ky është vetëm fillimi dhe duhet të mendojnë më lart se thjesht fazën e kualifikimit.
“Nuk ka mbaruar asgjë, kjo është vetëm fillimi për ne. Duhet të ndalojmë këtu ku jemi, e kemi kaluar fazën e kulaifikimit, duhet të mendojmë për më lart. Na pret një ndeshje e rëndësishme të hënën, duam të qëndrojmë në krye të grupit dhe në një të ardhme ti bëjmë gjërat kaq mirë sa i bëmë tani”, tha Bare.