Sylvinho fillon punën te Shqipëria, takohet me të gjithë trajnerët e ekipeve kombëtare
Trajneri i ri i Kombëtares së Shqipërisë, Sylvinho, ka nisur punën pasi mori zyrtarisht detyrën të hënën. Braziliani së bashku me dy ndihmës-trajnerët e tij, Pablo Zabaleta dhe Dorival Guidoni Junior, kanë zhvilluar një takim me të gjithë trajnerët e ekipeve kombëtare të moshave, për djem dhe vajza, ka njoftuar Federata Shqiptare e Futbollit.
Në këtë takim ishin të pranishëm trajneri i Kombëtares së vajzave, Armir Grima, trajneri i Kombëtares U-21, Alban Bushi, trajneri i Kombëtares U-19, Armando Cungu, trajneri i Kombëtares U-18, Ardi Behari, trajneri i Kombëtares U-17, Ervin Bulku, trajneri i Kombëtares U-16, Agron Kërçova, trajneri i Kombëtares U-15, Armand Damo, trajneri i Kombëtares U-19 për vajza, Kreshnik Krepi, trajneri i Kombëtares U-17, për vajza, Agustin Kola si edhe drejtori i Departamentit të Ekipeve Kombëtare në FSHF, Dritan Babamusta dhe menaxheri Denis Lilo.
Pas prezantimit, trajneri Sylvinho u shpreh optimist për këtë bashkëpunim të ri dhe shfaqi entuziazmin e tij për këtë aventurë të re me Shqipërinë. Braziliani theksoi se bashkëpunimi mes trajnerëve të ekipeve kombëtare të moshave dhe Kombëtares A do të jetë shumë i ngushtë për të përgatitur dhe për të afirmuar sa më shumë lojtarë të talentuar. Gjithashtu, Sylvinho u njoh edhe me mënyrën e organizimit të gjithë ekipeve të të moshave dhe për programin apo metodologjitë stërvitore që ato aplikojnë gjatë vitit, teksa mori informacion edhe për mënyrën se si monitorohen elementët e spikatur të cilët aktivizohen veçanërisht jashtë vendit.
Trajneri i “kuqezinjve” theksoi se qëllimi i përbashkët është i njëjtë, për të afirmuar sa më shumë futbollistë të rinj, por edhe për të marrë sa më shumë rezultate pozitive me të gjitha ekipet kombëtare të moshave. FSHF-ja njoftoi gjithashtu se takime të ngjashme do të jenë periodike në një kohë që stafi i ri teknik përgatitet për nisjen e eliminatoreve të Evropianit Gjermani 2024 në muajin mars.