Sylvinho: Italia është favorite, por gjithçka mund të ndodhë
Në një intervistë për “Corriere Della Sera”, trajneri i kombëtares së Shqipërisë, Sylvinho është shprehur se nuk i druhet parashikimeve, që nuk I japin shumë shanse skuadrës së tij në “Euro 2024”. Sipas teknikut, kuqezinjtë nuk frikësohen nga rivalët dhe se gjithçka mund të ndodhë në futboll.
Italinë e njeh mirë, kjo për shkak të aventurës së tij në pankinën e Interit si zëvendës i Roberto Mançinit. Nga ajo kohë, trajneri i Kombëtares së Shqipërisë, Sylvinho ruan vetëm kujtime të bukura. Tekniku kuqezi i ka kujtuar ato në një intervistë për “Corriere Della Sera”.
“Gjatë shortit mendova, fatmirësisht nuk është ai në stol. Të luaja kundër tij do të ishte e çuditshme. Gjithsesi, me apo pa Mançinin, për ne do të jetë e vështirë. Si një brazilian, Italia më ka bërë për të qarë në 1982 me Paulo Rossi, por unë e dua shumë atë. Kam marrë shumë, ai është një menaxher i shkëlqyer, i njeh lojtarët, ka personalitet, lidership, qetësi. Unë shpresoj vetëm që t’i kem dhënë diçka atij”, ka deklaruar Sylvinho. Në llogaritë e grupit B të Euro 2024, kuotat e Shqipërisë janë shumë të ulëta. Ashtu janë edhe për ndeshjen e parë kundër Italisë më 15 qershor. Por Sylvinho beson te forca e futbollistëve të tij.
“Nuk e morëm keq shortin, dëshirojmë të luajmë kundër më të mirëve. Jemi një përfaqësuese e re, kjo është hera e dytë që marrim pjesë në një Evropian, pas 2016 me De Biasin. Jemi rritur shumë, por duhet të mësojmë akoma më shumë. Duhet ta shfrytëzojmë me përgjegjësi këtë moment, jemi të karikuar. Është e drejtë që Italia të jetë favorite, por futbolli është i çmendur, mund të ndodhë gjithçka”, ka shtuar Sylvinho. I pyetur për pikën më të fortë të kombëtares së Shqipërisë, Sylvinho është shprehur për të përditshmen italiane, se ajo është grupi dhe organizimi.