Sylvinho projekton formacionin sulmues 4-3-3 ndaj Polonisë
Me ardhjen e Sylvinhos, Shqipëria me siguri që do të ndryshojë dhe vendosjen taktike në fushë, duke qenë më një formacion më sulmues. 4-3-3 është zgjedhja e parë e ish-lojtarit të Barcelonës, Arsenalit dhe Manchester City.
Në portë do të jetë kapiteni Berisha, edhe sepse Strakosha nuk ka luajtur në këtë sezon në Angli. Në mbrojtjen e ndikuar nga lëndimet e Gjimshitit dhe Ismajlit, dyshja e qendrës do të përbëhet nga Kumbulla e Mihaj, Balliu do të luajë nga e djathta, ndërsa Hysaj majtas, aty ku si alternativë mbetet edhe Veseli.
Në mesfushë pritet të jetë trinomi i formuar nga Gjasula, Ramadani e Abrashi. Dilema tjetër lidhet me sulmuesit e krahut, ku veç Asanit është provuar edhe debutuesi Mehmeti. Uzuni është i pazëvendësueshëm, teksa në majën e sulmit pritet të jetë Sokol Cikalleshi. Vendosja mund të bëhet më mbrojtëse kur mund të sulmojë Polonia, duke kaluar në skemën 4-5-1.