Sylvinho: Rezultati negativ me Gjeorgjinë nuk i shërben Shqipërisë
Një rezultat negativ me Gjeorgjinë nuk i shërben Shqipërisë, ka thënë përzgjedhësi i Kombëtares shqiptare, Sylvinho.
Kombëtarja shqiptare ka zhvilluar pasditen e sotme seancën e fundit stërvitore në “Mikheil Meskhi Stadium”, në prag të ndeshjes së nesërme ndaj Gjeorgjisë.
I pari i pankinës shqiptare ka theksuar rëndësinë e fitores në ndeshjen e të hënës.
“Nesër duhet të marrim pikë duke qenë se bëhet e vështirë për ta arritur objektivin. Ne duhet të jetojmë me këtë realitet. E dimë që nëse marrim një rezultat negativ nesër, nuk na shërben për të arritur objektivin që kemi. Na shërben vetëm fitorja dhe tri pikët”, ka deklaruar Sylvinho në konferencën për shtyp para ndeshjes.
Braziliani ka vlerësuar se përballja me Gjeorgjinë do të jetë sfiduese, por gjithashtu ka theksuar se Shqipëria ka avantazhin e ndeshjeve të nëntorit, të cilat do t’i luajë në shtëpi. “Kemi një mini-avantazh, duke qenë se në nëntor i luajmë të dyja ndeshjet e fundit të edicionit në shtëpi. Por është shumë e rëndësishme që ne të japim 100% tonë nesër dhe të marrim një rezultat pozitiv. Ata janë shumë të fortë, por edhe ne jemi një ekip i fortë”, ka thënë Sylvinho.
Trajneri i Shqipërisë nuk ka harruar ta përmendë punën e shkëlqyer të bërë nga Sagnol në drejtimin e Gjeorgjisë. “Gjeorgjia është një ekip i madh, Sagnol po bën një punë shumë të mirë prej kohësh, ka në ekip lojtarë të mëdhenj. Ne kemi respekt për Gjeorgjinë, por nuk kemi kohë për të humbur. Do të jetë një ndeshje e vështirë”, është shprehur Sylvinho.
Ai gjithashtu analizoi ndeshjen e fundit të Gjeorgjisë kundër Ukrainës. “Ndeshjen e Gjeorgjisë me Ukrainën e pashë, ishte 50-50. Ukraina ka lojtarë të mirë, por Gjeorgjia bëri mirë. Në fund është balanca mes të gjithëve: me një gabim pëson gol dhe je i vdekur. Kjo është ajo që ndodhi me Gjeorgjinë. Nesër pres të njëjtën ndeshje, shumë të vështirë. Duhet shmangur çdo gabim, por do të jetë e vështirë për këdo”, ka thënë braziliani.