Hasan Ukëhaxhaj: Synimi im ishte ngritja e vetëdijes kombëtare te nxënësit

12 nëntor 2018 | 08:25

Profesori dhe veprimtari i çështjes kombëtare, Hasan Ukëhaxhaj, në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re” flet për vitet e fëmijërisë dhe rinisë së vet, për punën prej profesori të gjuhës dhe letërsisë shqipe, për veprimtarinë politike në kuadrin e lëvizjes ilegale, për protestat e vitit ’81, për bashkëpunimin me të ndjerin Adem Demaçi, për vuajtjen e dënimit me burg prej dhjetë vjetësh dhe për emërimin e tij zëvendësministër i Arsimit në Qeverinë e Përkohshme të udhëhequr atëkohë nga Hashim Thaçi. 

Ukëhaxhaj ka treguar se, përveç përpjekjes për t’i pajisur nxënësit me njohuri sa me të gjëra nga fusha që e mbulonte lënda Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, synim në atë kohë kishte ngritjen e vetëdijes kombëtare te nxënësit.

“Epoka e re”: A ju kujtohet, në këtë moshë, diçka nga fëmijëria dhe vitet e rinisë suaj? 

Hasan Ukëhaxhaj: Nga e para, pak e mbaj në mend ’47-shin, kur pushtetarët ua patën zbrazur koshat e drithit fshatarëve, pra edhe familjes sime, për t’i ushqyer edhe kolonët e vjetër e të rinj. Aksioni më është rrënjosur në kujtesë edhe nga kujtimet e njerëzve që e kishin përjetuar më thellësisht, bashkë me përpjekjet që i kishin bërë për ta përballuar atë vit zie, siç e quanin ata. E mbaj mend edhe mësuesin e parë, emrin e të cilit edhe mund ta kisha harruar, sikur të mos ndodhte diçka që do ta them më poshtë. Edhe aksioni për mbledhjen e armëve ishte i paharrueshëm edhe për fëmijët e klasave të para të shkollës fillore. Në çdo familje vërehej ankthi të cilin të rriturit e shprehnin kryesisht me pëshpëritje.

Emrin e Adem Demaçit e mësova kur ia lexova romanin “Gjarpërinjtë e gjakut” që ia kishte dhënë një shok i klasës së tij dajës tim Zenun Gjocajt, i cili që nga ato vite qe dhe mbeti pjesë e familjes sonë. Ndërkaq, në mëngjesin e një dite të vjeshtës së ’63-s e dëgjova bisedën e dy nxënësve nga Gjakova të cilët i vijonin mësimet në shkollën ekonomike në Pejë, pra gjatë udhëtimit me autobus, se në mesin e të arrestuarve ishin edhe Hasim Vula dhe Kadri Kusari. I pari ishte mësuesi im, të cilin e përmenda më sipër, ndërkaq për të dytin dëgjoja nga bashkëvendësit e mi që vijonin mësimet në Normalen e Gjakovës. Mësuesi im i parë, ndonëse nuk e pashë kurrë më, mbeti i pashlyeshëm në kujtesën time e të dytin e takova për herë të parë e të fundit në shtëpinë e një shoku, i cili sapo kishte filluar të punojë në Gjimnazin “Vëllezërit Frashëri” në Deçan. Për vdekjen e tij mësova në burgun e Nishit. Duhet t’i kthehemi shkollimit të mesëm për të theksuar se në verën e vitit ’63 i patën larguar nga procesi mësimor dy mësimdhënësit e gjimnazit të Pejës: Riza Bicaj dhe Rexhep Podrimen. Edhe ky akt i pushtetit të atëhershëm nuk mbeti pa lënë gjurmë në botën time shpirtërore, sepse si njëri, ashtu edhe tjetri përpiqeshin për t’i ndërgjegjësuar nxënësit në aspektin kombëtar. 

(Intervistën e plotë të pjesës së parë mund ta lexoni në numrin e sotëm të gazetës “Epoka e re”)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sot Mid’hat Frashëri u transferua nga Long Island i Nju…