Synoj ta rikthej qeverisjen e PDK-së në Gjilan
Ish-kryetari i Komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa, ka treguar arsyet se pse sërish ka vendosur ta sfidojë veten për kryetar të Degës së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Gjilan.
Ai ka thënë se vendimi i tij për t’i hyrë kësaj gare ka ardhur pas shumë kërkesave të aktivistëve të partisë në këtë komunë dhe pas konsultimeve që ka pasur me zyrtarët e lartë të Partisë Demokratike të Kosovës.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se qëllim i rikthimit të tij në krye të Degës së PDK-së në Gjilan është që në mandatin e ardhshëm në këtë komunë ta rikthejë qeverisjen e PDK-së.
“Pas kërkesës së një pjese të aktivistëve të degës dhe të qytetarëve të komunës që të kthehem e të kontribuoj për rindërtimin e degës dhe pas konsultimeve me kryetarin Veseli, si dhe me disa nga anëtarët e kryesisë së PDK-së në qendër, vendosa të jem pjesë e procesit zgjedhor në Degën e PDK-së në Gjilan në kushte plotësisht të barabarta dhe demokratike. Pra, e nisim ‘lojën’ nga fillimi dhe pres që ajo të jetë fer dhe e hapur”, ka thënë Mustafa. Ai ka deklaruar se Komuna e Gjilanit duhet t’u kthehet qytetarëve të saj. Sipas Mustafës, qeverisja tani në këtë komunë nuk është në duart e duhura.
“Qëllimi i parë dhe i vetëm i kandidimit tim është rikthimi i PDK-së në qeverisje para se unë të kem ambicie personale. Gjilani duhet t’u kthehet qytetarëve të vet. Tashti nuk është në duar të mira, e aq më pak në duar të sovranit”, është shprehur ai.
Në këtë intervistë Qemajl Mustafa ka folur edhe për kritikat që dikur kishte për PDK-në si në nivelin lokal, po ashtu edhe në atë qendror. Ai është shprehur i bindur se kishte të drejtë në këto kritika, duke shtuar se ato nuk do të ndikojnë negativisht në garën për t’u zgjedhur në krye të degës. “Jo aspak. Kritika e bazuar është e shëndetshme në demokraci. Nëse dikush e ka kuptuar ndryshe, e ka pasur gabim, qysh edhe janë bindur ndonjëri në qendër e shumë më shumë në degë që më kanë keqkuptuar”, është shprehur ai.
Mustafa e ka kritikuar qeverisjen e Lutfi Hazirit në Komunën e Gjilanit. Ai ka thënë se edhe një jabanxhi do ta qeveristë më mirë këtë komunë. “Edhe me pas qenë komunë e huaj Luta nuk e kishte qeveris më keq. Ose, më saktë, as jabanxhi me pas qenë ai nuk e kish prishë kaq shumë. Komunë e politizuar, komunë me korrupsion, me anarki të ndërtimet, me realizim të dobët të projekteve, me falsifikime që nga kryetari etj”, ka thënë Mustafa.
“Epoka e re”: Z. Mustafa, keni paralajmëruar se do të kandidoni për kryetar të Degës së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Gjilan. Pse vendosët të riktheheni edhe një herë?
Qemajl Mustafa: Pas kërkesës së një pjese të aktivistëve të degës dhe të qytetarëve të komunës që të kthehem e të kontribuoj për rindërtimin e degës dhe pas konsultimeve me kryetarin Veseli, si dhe me disa nga anëtarët e kryesisë së PDK-së në qendër, vendosa të jem pjesë e procesit zgjedhor në Degën e PDK-së në Gjilan në kushte plotësisht të barabarta dhe demokratike. Pra, e nisim ‘lojën’ që nga fillimi dhe pres që ajo të jetë fer dhe e hapur.
“Epoka e re”: A keni folur për këtë çështje me lidershipin e kësaj partie dhe sa besoni se mund ta fitoni këtë garë?
Qemajl Mustafa: Garat janë përherë sfiduese. Ndonjëherë më pak e ndonjëherë më shumë. Unë dhe puna ime jemi mirë të njohur për degën në Gjilan dhe për qytetarët e kësaj komune. Le të jetë përcaktim i lirë e demokratik i tyre nëse më duan për udhëheqës ose jo.
“Epoka e re”: Më herët e keni kritikuar PDK-në si në nivelin lokal, po ashtu edhe në atë qendror. Mund t’ju dëmtoj kjo në garën për kryetar të degës?
Qemajl Mustafa: Jo aspak. Kritika e bazuar është e shëndetshme në demokraci. Nëse dikush e ka kuptuar ndryshe, e ka pasur gabim qysh edhe janë bindur ndonjëri në qendër e shumë më shumë në degë që më kanë keqkuptuar.
“Epoka e re”: Nëse zgjedheni kryetar i kësaj dege, a besoni se mund ta ktheni qeverisjen e PDK-së në këtë qytet?
Qemajl Mustafa: Qëllimi i parë dhe i vetëm i kandidimit tim është rikthimi i PDK-së në qeverisje para se unë të kem ambicie personale. Gjilani duhet t’u kthehet qytetarëve të vet. Tashti nuk është në duar të mira e aq më pak në duar të sovranit.
“Epoka e re”: Si po qeveriset Gjilani nga kryetari i tanishëm, Lutfi Haziri?
Qemajl Mustafa: Shumë keq. Edhe me pas qenë komunë e huaj Luta nuk e kishte qeveris më keq. Ose, më saktë, as jabanxhi me pas qenë nuk e kish prishë kaq shumë. Komunë e politizuar, komunë me korrupsion, me anarki të ndërtimet, me realizim të dobët të projekteve, me falsifikime që nga kryetari etj.
Muhamet KOCI