Synoj të bëj koalicion me të gjitha partitë opozitare
Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për kryetar të komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka shprehur bindjen për fitore më 14 nëntor.
Ai ka deklaruar se përkrahja e madhe e qytetarëve të kësaj komune që po merr çdo ditë e bën optimist se këtë herë do ta mposhtë kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prizrenit, Mytaher Haskuka, i cili është kryetar aktual i kësaj komune.
Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, Totaj ka treguar për dallimet e tij me kundërkandidatin. “Qytetarët tashmë e kanë kuptuar se z. Haskuka ka treguar deficite serioze në menaxhim të Prizrenit dhe pasojat janë të pranishme tash e katër vjet, kurse unë jam një profesionist i dëshmuar i menaxhmentit dhe institucionalist”, ka thënë Totaj.
Ai ka thënë se synon të bëjë koalicion me të gjitha partitë shqiptare që nuk janë në balotazh. Sipas Totajt, bisedimet me këto parti janë duke ecur mirë.
“Bisedimet me partitë e tjera që nuk janë në balotazh po shkojnë mirë dhe unë jam optimist për një bashkëpunim konkret deri te fitorja dhe pas fitores. Opinionin do ta informojmë me kohë”, ka deklaruar Totaj.
Në këtë intervistë Totaj ka treguar për prioritetet e tij kryesore nëse vjen në krye të Prizrenit. “Menaxhimi i mirë i resurseve humane dhe i buxhetit si dhe transparenca dhe llogaridhënia”, ka thënë Totaj.
“Epoka e re”: Z. Totaj, e diela e 14 nëntorit do të jetë hera e katërt që do të përballeni me z. Haskuka në garën për kryetar të Prizrenit. Çfarë ju shtyn të besoni se këtë herë do të fitoni?
Totaj: Përkrahja në rritje nga ana e qytetarëve të Prizrenit më bën optimist.
“Epoka e re”: Pse qytetarët e kësaj komune duhet të votojnë për ju dhe jo për kryetarin aktual Mytaher Haskuka?
Totaj: Qytetarët tashmë e kanë kuptuar se z. Haskuka ka treguar deficite serioze në menaxhim të Prizrenit dhe pasojat janë të pranishme tash e katër vjet, kurse unë jam profesionist i dëshmuar i menaxhmentit dhe institucionalist.
“Epoka e re”: Cilat janë prioritetet tuaja kryesore që synoni t’i realizoni pasi të bëheni kryetar?
Totaj: Menaxhimi i mirë i resurseve humane dhe i buxhetit si dhe transparenca dhe llogaridhënia.
“Epoka e re”: Kundërkandidati juaj tashmë ka bërë koalicionin e parë për balotazh. Ju keni menduar për ndonjë koalicion para balotazhit?
Totaj: Bisedimet me partitë e tjera që nuk janë në balotazh po shkojnë mirë dhe unë jam optimist për një bashkëpunim konkret deri te fitorja dhe pas fitores. Opinionin do ta informojmë me kohë.
“Epoka e re”: Më 17 tetor është parë se LDK-ja, AAK-ja dhe Nisma kanë elektorat të konsiderueshëm. Me cilën nga këto parti pëlqeni të bëni koalicion?
Totaj: Nuk kam limite për bashkëpunim dhe të gjitha partitë tentoj t’i bind të më përkrahin. Do të shohim.
“Epoka e re”: Gjatë kësaj kohe kemi parë që kundërkandidatit tuaj po i del në krah kryeministri dhe disa ministra duke premtuar projekte të ndryshme për këtë komunë. Sa mund të ketë ndikim kjo në garën elektorale?
Totaj: Gara duhet të jetë mes dy kandidatëve e jo mes liderëve partiakë. Projektet e premtuara do të duhej të ishin për qytetin dhe jo për kandidatin. Si kryetar i ardhshëm do të bashkëpunoj me qeverinë për të mirën e Prizrenit.
(Muhamet Koci)