“Syri i Dubait”, rrota panoramike më e madhe në botë (Video)
Ain Dubai, që është quajtur edhe “Syri i Dubait”, sipas modelit të syrit të Londrës në Britaninë e Madhe, do të jetë rrota panoramike më e madhe në botë dhe do të hapet për publikun, vitin e ardhshëm.
Plot 250 metra e lartë, struktura do të jetë 200 për qind më e lartë se rrota e parë panoramike e shpikur ndonjëherë, çka edhe dëshmon dëshirën e projektuesve për të kapërcyer kufijtë e të mundurës përmes inxhinierisë moderne dhe ndërtimit.
Rrota panoramike është mbërthyer me 192 kabuj metalikë, që arrijnë në total një gjatësi prej 2400 km. Pesha e saj është e barasvlershme me atë të 16 airbusëve “A380” superjumbo.
Rreth 9 mijë tonë hekur janë përdorur për ndërtimin e rrotës që është 25 për qind më shumë nga sasia e hekurit e përdorur për të ndërtuar kullën Ejfel në Paris.
Ajo do të mbajë 48 kapsula pasagjerësh me një kapacitet prej 1900 personash. Rrota ndodhet në ishullin Blu Uotër, një nga projektet më të fundit të Dubait, i hapur në fund të vitit të shkuar.