SYTË, SHTRATI KU FLE SHPIRTI
Lola SHEHI – ÇELA, Tiranë –
Vështrimin rreth vëllimit poetik “SYTË E MALLIT” të autorit Bedri Halimi
Është folur shumë dhe është shkruar shumë për poezinë. Janë thurur pa fund vargje për poezinë dhe poetin, që nga poetët klasikë deri tek ata modernë. Po aq, janë bërë dhe recensione e kritika letrare. Jo rrallë herë kemi dëgjuar të thuhet se kemi të bëjmë me një krijim hyjnor, e dikush mund të jetë edhe kritik ndaj këtij fakti. Këtu e ndjej domosdoshmërisht të nevojshme ta shpjegoj pak më hollësishëm këtë fenomen.
Në kuptimin parësor të shprehjes, duket sikur hiperbolizohet paksa vepra letrare dhe autori i veprës, ndërsa hollë – hollë, kemi të bëjmë vërtetë me hyjnizim. Nuk bëhet fjalë për hyjnizimin e poezisë, pasi poezia është konkrete, hyjnizimi qëndron në përshkrimin poetik të jetës e të ndjenjës. Pasi poezia në vetvete është jetë dhe ndjenjë. Gjithsecili e jeton jetën me mënyrën e vet, çdo qënie njerëzore ka përjetuar dashurinë e saj, por jo gjithsecili arrin të transmetojë emocione në përshkrimin e atyre çasteve. Këtë mision e ka marrë në dorë poeti. Po e quaj mision, pasi në vargjet e poezive lexuesit gjejnë veten, e nëse arrihet që krijimi individual të marrë me vete shumë shpirtra lexuesish, pa hezitim do të themi se poezia është e arrirë.
Një element tjetër i vëllimit poetik, është dhe tematika e poezive dhe raporti midis konkretes dhe abstraktes, raporti i poezive me poetin. Jo më pak e rëndësishme është dhe struktura e poezive, radha e vendosjes së tyre në libër, në ç`raport qëndron sasia me cilësinë.
Për të përmbyllur anën teorike të analizës së vëllimit poetik, cilësoj se një element i rëndësishëm është dhe titulli i poezive për të kaluar tek finalja, titulli i librit.
Autori Bedri Halimi, kësaj radhe vjen përpara lexuesit me një vëllim poetik që mbart edhe një titull intrigues e emocional. Vëllimi poetik titullohet “Sytë e mallit”. Këtë titull që i ka vendosur autori librit të tij, do ta quaj një poezi më vete, do ta quaj një gjetje poetike. Marr përsipër ta quaj gjetje, pasi nuk kemi të bëjmë me rastet që rëndom hasim në letërsinë evazive të viteve të fundit ku brendia e librit nuk ka asnjë lidhje me titullin që mban vepra letrare në kopertinë. Ky nuk është rasti i autorit tonë. Ky vëllim poetik ka një përputhshmëri gati – gati ideale midis formës dhe përmbajtjes. Nuk do guxoja të analizoja apo deklaroja se në ç`raport është autori me subjektin në poezinë e tij, pasi kjo nuk duhet t`i interesojë as kritikëve, as lexuesve, por guxoj të them se çdo poezi duket një përjetim, duket një copëz jete, copëz emocioni i dëshiruar, i jetuar, apo edhe i ëndërruar. E vështirë të dalësh në konkluzion se për kë shkruhet poezia, por lehtësisht e perceptueshme si e shkruar për secilin lexues.
Kemi të bëjmë me një vëllim poetik ku dominuese është tema e dashurisë, asaj dashurisë puro, dashurisë sublime, dashurisë së brishtë, por të shkruar maturisht e pjekurisht. Autori i ka përzgjedhur pothuajse të gjitha metaforat aq me kujdes, sa të krijon përshtypjen se vargu nga çasti në çast do të të thërrmohet në duar. Edhe pse konstatohen poezi të rinisë së tij, janë të rralla poezitë e vrullshme, vargjet e rrëmbyeshme e të zhurmshme. Dashuria e poetit shfaqet e paqtë. Poezitë e këtij libri janë të qeta e reflektive.
Janë të shumta poezitë ku mund të ndalem në analizë, por përzgjodha të ndalem në vargjet kushtuar mikes, jo të dashurës. Ndoshta këto vargje janë për miken e tij të shpirtit, poezinë. Autori këtu nuk le shteg për konstatime. Gjithsesi mendoj se nuk ka aspak rëndësi kujt i kushtohet poezia, rëndësi kanë notat me të cilat ai i drejtohet mikes në këtë krijim, rëndësi ka emocioni dhe mendimi që përcjell në vargjet e saj.
Poezia titullohet, “NË DUART E MIA”. Ndoshta kjo poezi i përket edhe kohës kur vet poeti ka tymosur ndonjë cigare, por kjo poezi nuk është kaq e thjeshtë, nuk mendoj se ai e ka shpërfaqur brendinë e kësaj poezie që në titull. Është më e thellë kjo poezi, se sa dukja e saj në shikim të parë.
E nëse marrim parasysh se duhanpirja bën pjesë tek veset, dalim në konkluzion se autori ynë dashuron dhe përkushtohet pa kushte, nëse dashuron, dashuron të tërën, nuk dashuron copëza, nuk i duhen copëza të njerëzores, i duhet njerëzorja në tërësi, me të mirat dhe të metat e saj. Poezia klasifikohet tek poezitë relativisht të gjata, tek poezia me varg të thyer, jo tek poezia me varg të rregullt. Është cilësor fakti të shkruash poezi të pa rimuar dhe të ruash ritmin.
Ja si shprehet autori në përmbyllje të kësaj poezie…
Mike
Thonë se Dashuria është kujtim i një zgjimi
Atje poshtë ku era fryn vrullshëm
Lutja e dashurisë
Ka fytyrë të gdhendur në shpirt
Nga unë – udhëtari i sjellshëm
Që s’thotë lamutumirë
Që qetëson etjen e Ëndrrës
Në të gjitha muzgjet
Pi qetësinë me ty
Metaforë e gjetur vargu, “Pi qetësinë me ty”.
Autorin Bedri Halimi, do ta cilësoja, poet të marrdhënies njerëzore përmes shpirtit. Të drejtën për të dalë në këtë konkluzion, ma jep poezia, “TE KËSHTJELLA E ZJARRIT”. Ja si shprehet ai në vargjet e mëposhtme…
E dimë një Fjalë
E dimë një Vend
Që edhe kur bie shi
Vazhdojmë refrenin gazmor
Për borxhin njerëzor…
Një element tjetër i poezive të këtij vëllimi, është shpirti rinor i poetit. Nëpërmjet vargjeve të tij, poeti na kthen në evidencë shprehjen, se dashuria nuk ka moshë, se mosha në dashuri është thjesht çështje numrash. Kjo duket në poezinë, “UNË JAM NISUR TEK TI”. Është një udhëtim imagjinar që vjen tek lexuesi tepër konkret. Është një udhëtim që kurrsesi nuk dëshiron ta lerë në mes, dëshiron të arrijë në finish, ashtu si çdo gjë dhe çdo sipërmarrje në jetën e tij reale. Ja se ç`thotë autori në këtë poezi…
Ardhja jonë te njëri – tjetri
Nuk kryhet kurrë
Kohë Dielli është
E nëse s’kemi mbërri te njëri tjetri
Askund s’kemi mbërri
Unë udhëtari i plagosur
U nisa tek ti
Pranverë
Gjaku im
Biografia ime
Gjymtyrët e mia
Në heshtje
Thonë fjalë që s’i dimë…
Qëllimi i vështrimit dhe vlerësimit të këtij vëllimi poetik, nuk është marrja në analizë e poezive një për një. Në këndvështrimin tim kjo do të ishte e tepërt dhe pa sens, pasi poezia sipas meje, nuk shpjegohet. Poezia është një pjatë që serviret e ngrohtë dhe i lihet lexuesit ta shijojë sipas shijes së gjithsecilit.
E fundit që dëshiroj të evidentoj, është fakti se autori nuk i mëshon metaforave për të përshkruar hiret femërore, si buzëve, syve, shtatit, belit të hollë, apo sensualitetit. Autori përshkruan dhe i thur vargje derivative të këtyre tipareve, nuk i thur vargje buzëve, por buzëqeshjes, nuk i thur vargje syve, por shikimit, nuk i thur vargje prekjes, por drithërimës që shkakton prekja.
Pikërisht këtu qëndron dhe hyjnorja, frazë me të cilën e kam nisur vështrimin tim rreth poezive të këtij vëllimi.