Szunyog: BE-ja e përkushtuar ta ndihmojë Kosovën në rrugën evropiane
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka pritur të hënën në takimin e parë njoftues shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, me të cilin ka diskutuar për bashkëpunimin e Qeverisë me Zyrën e Bashkimit Evropian në Prishtinë.
Kryeministri Hoti ka shprehur gatishmërinë e kabinetit qeveritar që ky bashkëpunim të thellohet dhe të zhvillohet në frymën e respekti dhe komunikimit të drejtpërdrejtë për të gjitha çështjet. “Integrimi në Bashkimin Evropian është synim yni strategjik. Andaj, do të jemi të hapur dhe bashkëpunues në vazhdimësi për ta implementuar agjendën tonë të integrimit”, ka theksuar Hoti.
Sipas njoftimit të Qeverisë, kryeministri në këtë takim ka shtruar çështjen e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovë, duke theksuar se institucionet e Republikës së Kosovës i kanë plotësuar të gjitha kriteret e kërkuara nga BE-ja për këtë çështje, raporton “Epoka e re”.
“Ne vërtet jemi të interesuar që liberalizimi i vizave të ndodhë sa më shpejt dhe jemi të përkushtuar të punojmë ngushtë me të gjitha vendet e BE-së, sidomos me ato që kanë hezitime, në mënyrë që qytetarët e Kosovës të lëvizin lirshëm si të gjithë qytetarët e tjerë të Evropës”, ka deklaruar Hoti.
Ndërsa, përfaqësuesi i posaçëm i BE-së, Tomas Szunyog, ka pohuar angazhimin e tij për t’i vazhduar marrëdhëniet e mira dhe funksionale me institucionet e Republikës së Kosovës. “Bashkimi Evropian është i përkushtuar për ta ndihmuar Kosovën në proceset e zhvillimit të përgjithshëm si dhe bashkëpunimin rajonal dhe integrimin evropian”, ka theksuar Szunyog, duke shtuar se BE-ja do të vazhdojë angazhimin për mbështetjen e agjendës evropiane të Kosovës dhe zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.
Në këtë takim, është diskutuar edhe për vazhdimin e punës së përbashkët në të gjitha fushat e bashkëpunimit që janë identifikuar deri tash, si dhe u konfirmua gatishmëria e të dyja palëve për t’i çuar përpara proceset e bashkëpunimit.