Szunyog: Drafti i Asociacionit duhet të dërgohet në Kushtetuese
Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe është obligim ndërkombëtar dhe ligjor i Kosovës, për të cilin vendi është rënë dakord në vitin 2013 dhe se është ratifikuar edhe nga Kuvendi i Kosovës me shumicë Kushtetuese.
Ai ka thënë se BE-ja ka propozuar draftin për Asociacionin, për të cilin tha se kryeministri Albin Kurti ishte i gatshëm që ta nënshkruante dhe ta pranonte në tetor të vitit të kaluar.
Szunyog ka theksuar se ky draft respekton vijat e kuqe të të dyja palëve dhe se duhet të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese.
“E pra, përsëri, Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe është obligim i Kosovës, që nuk është diçka e re. Për themelimin e kësaj tashmë është rënë dakord në vitin 2013. Fjala vjen, kjo marrëveshje është ratifikuar edhe nga Kuvendi i Kosovës me shumicë Kushtetuese. Pra, nga ky këndvështrim, është obligim ndërkombëtar i Kosovës por është obligim ligjor vendor që ta themelojë Asociacionin. Ne kemi propozuar si Bashkimi Evropian një draft. Kuptimi im është se kryeministri Kurti në fakt ishte i gatshëm ta pranonte këtë draft dhe ta nënshkruante tetorin e kaluar. Pra, nga ky këndvështrim, ne besojmë se ky është një draft i mirë, duke respektuar vijat e kuqe të të dyja palëve. Dhe ne besojmë se duhet marrë dhe dërguar në Gjykatën Kushtetuese në atë mënyrë që të jetë e pranueshme dhe Gjykata Kushtetuese mund të vendos për këtë”, ka thënë Szunyog.
Ambasadori i BE-së në Kosovë ka thënë se të tre krerët e shtetit, presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryeparalmetari Glauk Konjufca, kanë premtuar themelimin e Asociacionit, në letrën e përbashkët të nënshkruar nga ta dërguar Këshillit të Evropës.
Për këtë, ai ka thënë se Asociacioni duhet themeluar dhe sa më shpejt të bëhet kjo, sipas tij, aq më mirë do të jetë për përparimin e Kosovës në rrugën për t’u bërë anëtare e BE-së.
“Por përsëri, ky është vetëm hapi i parë në procesin e themelimit të Asociacionit. Dhe përsëri, mirëkuptimi im është gjithashtu se në këtë letër të përbashkët të nënshkruar nga presidentja, kryeministri dhe kryetari i Kuvendit, dërguar Këshillit të Evropës majin e kaluar, tre liderët kushtetues të Kosovës në fakt premtuan themelimin e Asociacionit. Kështu që unë mendoj se kjo është diçka që duhet bërë. Sa më shpejt të bëhet kjo, aq më mirë për përparimin e Kosovës në rrugën për t’u bërë anëtare e BE-së”, ka thënë ai.