Szunyog: Nënshkrimin nuk e shohim problem, marrëveshja paraqet obligim ligjor
Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog e ka quajtur moment historik në procesin e dialogut dakordimin mes Kosovës dhe Serbisë për Marrëveshjen Bazë dhe aneksin e zbatimit të tij.
Sipas tij këto dy dokumente e plotësojnë njëra-tjetrën.
“Kjo marrëveshje e cila është në fakt pako e dy dokumenteve, njëra e dakorduar më 27 shkurt dhe tjetra aneksi i implementimit më 18 mars në Ohër, është një moment historik në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë dhe krijon realitete të reja si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë. Marrëveshja e rëndësishme e 27 shkurtit specifikon kontekstin politik derisa aneksi i dakorduar më 18 mars është aneks implementimi me hapat konkret se si të arrihen qëllimet të cilat janë vendosur në këtë deklaratë apo marrëveshje të arritur në shkurt. Pra të dyjat janë të rëndësishme dhe e plotësojnë njëra-tjetrën”, ka thënë Szunyog në një intervistë për Respublika në Tëvë 1.
Duke folur për faktin që nuk është nënshkruar, ai ka thënë se këtë çështje nuk e sheh si problem pasi marrëveshja parasheh obligim ligjor.
”Ne nuk e shohim si problem. Për ne dhe meqë ra fjalë kjo është një gjë që është dakorduar nga të dyja palët. Marrëveshja është e vlefshme, ligjërisht e obligueshme nga deklarata të cilën e ka dhënë zv/kryesuesi i Komisionit z.Borrell dhe kjo është diçka që ne e konsiderojmë të mjaftueshme sa i përket kësaj marrëveshje dhe sa i përket detyrueshmërisë”, ka deklaruar Szunyog.
Sa i përket komitetit të zbatimit ai ka thënë që duhet të themelohet sa më shpejt dhe të jetë strukturë gjithëpërfshirëse dhe efikase.
“Komiteti i Monitorimit duhet të themelohet sa me shpejt që të jetë e mundur. Kolegu im, përfaqësuesi special Lajçak dhe ekipi i tij janë duke punuar në mënyrë intensive dhe në ditët në vijim do të mund të shohim. Roli natyrisht do të jetë shumë i rëndësishëm sepse në të vërtetë jo vetëm marrëveshja, por më e rëndësishmja është që duhet të shohim implementimin e duhur të të gjitha zotimeve që të dyja palët i kanë marrë”, tha ai.
“Ne do të na duhet të presim për diskutime dhe punën të cilën do ta bëjë përfaqësuesi z. Lajçak, por duhet të kemi një strukturë e cila është gjithëpërfshirëse por dhe efikase që ta monitorojë të gjithë procesin e implementimit”, ka thënë ambasadori i BE-së në Kosovë.