Szunyog: Raporti është reflektim dhe reagim i BE-së ndaj situatës politike
Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, ambasadori Tomas Szunyog, në ‘RTK Prime’ ka folur për Raportin për Kosovën nga Komisioni Evropian. Sipas tij raporti është reflektim dhe reagim i Bashkimit Evropian ndaj situatës politike.
Ambasadori Szunyog, duke folur për dialogun, ka thënë se ka një lloj formulimi për sa i përket dialogut.
“Ekziston pozicioni i qartë i institucioneve të BE-së. Është që shtegu ose integrimi i Kosovës dhe Serbisë varet nga marrëveshjet për normalizim të plotë të marrëdhënieve dhe kjo është tejet e qartë. Pra, ky tekst reflekton faktin që kemi një pajtim në kuptimin e rrugës drejt normalizimit që nga shkurti. Pastaj aneksin e Ohrit nga marsi i këtij viti dhe tash flasim për zbatimin. Raporti është shumë i qartë. Fatkeqësisht as Serbia, e as Kosova nuk kanë fillar ta implementojnë atë”, ka deklaruar ambasadori Szunyog.
Szunyog ka thënë se fatkeqësisht bota është në kohë sfiduese për shkak të luftës në Ukrainë, e pastaj edhe lufta në Gaza dhe situatës së rëndë gjeopolitike dhe sipas tij zgjerimi është një prej veglave kryesore ë BE-së, për t’u përballur me këtë mjedis sfidues.
“Fatkeqësisht jetojmë në një periudhë ku kemi luftë. Në Evropë agresioni rus ndaj Ukrainës, por kemi edhe një konflikt serioz në Gazë. Po ashtu kemi edhe një garë të rritur midis fuqive më të mëdha dhe kjo reflektohet edhe në këtë paktë zgjerimi. Bashkimi Evropian përçon një sinjal të qartë që Bashkimi Evroiian që tërsisht dëshiron të jetë union politik, gjeopolitik. Një fuqi e cila mund të zgjerojë zonën e stabilitetit, prosperitetit, paqes edhe drejt rajoneve që janë drejtpërdrejtë fqinj të BE-së, që janë Ballkani Perëndimor, por edhe Evropa Lindore”, theksoi ai.
Duke folur për statusin e kandidatit të Kosovës për BE, Szunyog ka thënë se ky propozim do të diskutohet në organet punuese të Bashkimit Evropian, pastaj në nëntor dhe dhjetor do të futet në rendin e ditës të Këshillit të Ministrave dhe në mes të dhjetorit edhe në agjendën e Këshillit Evropian.
“Para Këshillit të Bashkimit Evropian do të jetë edhe samiti midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor. Pra, ky propozim ka mundësi edhe të zgjerohet, por do të thosha që çështja e statusit të kandidatit, por edhe hapat në këtë rrugëtim të një vendi drejt Bashkimit Evropian varen nga qëndrimi i vendeve anëtare. Qëndrimi BE-së është që të gjithë hapat duhet të dakordohen nga të gjitha shtetet anëtare me unanimitet”, theskoi ai./RTK