Szunyog: Roli i qeverisë është që t’i përmbushë të gjitha obligimet e MSA-s
Me rastin e gjashtëvjetorit të hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, shef i Zyrës së BE-së dhe përfaqësuesi Special i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, ka thënë se për këto gjashtë vite në bashkëpunim me Bashkimin Evropian, Kosova ka zhvilluar procese shumë të rëndësishme, duke përfshirë në sektorët e drejtësisë, tregtisë, arsimit dhe punësimit.
“Sikur sot, gjashtë vite më parë, hyri në fuqi Marrëveshja e Stabilizim Asociimit, si marrëdhënia e parë kontraktuale mes BE-së dhe Kosovës, duke e përcaktuar kështu perspektivën e saj evropiane. Përgjatë gjashtë viteve të fundit, në bashkëpunim me Bashkimin Evropian, Kosova ka zhvilluar procese shumë të rëndësishme, duke përfshirë në sektorët e drejtësisë, tregtisë, arsimit dhe punësimit”, ka thënë ai, duke shtuar se dialogu politik dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë janë pjesë e rëndësishme e kësaj pune.
“MSA-ja është mjet jetësor për zbatimin e qëllimeve të Agjendës së Gjelbër duke kaluar në prodhimin e qëndrueshëm të energjisë dhe duke siguruar mbrojtjen e mjedisit. Marrëveshja u nënshkrua për një periudhë fillestare dhjetëvjeçare, me mundësi të zgjatjes. Katër vitet e ardhshme duhet të përdoren për arritjen e progresit të qenësishëm. Sa më shumë të zbatohet marrëveshja, aq më shumë do të përfitojë Kosova”, është shprehur Szunyog.
Ai ka theksuar se në fund të fundit, është roli i Qeverisë së Kosovës që të udhëheqë dhe të sigurojë përmbushjen e të gjitha obligimeve që rrjedhin nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit, me mbështetjen dhe në bashkëpunim me Kuvendin, shoqërinë civile dhe sektorin privat.
“BE-ja është partneri juaj dhe ne jemi të gatshëm të ndihmojmë. Së bashku mund ta sjellim ndryshimin”, ka thënë shef i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog.