Szunyog viziton Gjilanin dhe Novobërdën, shprehet i kënaqur si po implementohen fondet e BE-së
Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, ka vizituar disa projekte të mbështetura nga BE-ja në komunën e Gjilanit dhe të Novobërdës, raporton “Ekonomia Online”.
Ambasadori Szunyog, në një prononcim për Ekonomia Online, e cila e përcolli me kamerë gjatë vizitës në pesë lokacione të ndryshme, deklaroi se është i kënaqur sesi po implementohen fondet e BE-së.
“Jemi me fat që moti është i mirë sot, pasi isha i brengosur gjatë ditës së djeshme kur e pashë se binte borë… Jam i impresionuar duke e parë energjinë pozitive të këtyre njerëzve”, u shpreh Szunyog.
“Jemi të kënaqur me implementimin e fondeve, sidomos me IOM-in, si partner implementues. Besoj që ne të gjithë së bashku jemi duke bërë një punë të mirë, zyra jonë, IOM, si dhe komunat. Dua të falënderoj specifikisht njerëzit që janë rikthyer dhe po vazhdojnë të punojnë. Këto shembuj na motivojnë dhe na japin energji të mirë dhe po ashtu na impresionojnë”, theksoi shefi i BE-së.
Szunyog, fillimisht e ka vizituar një biznes të ëmbëlsirave në qytetin e Gjilanit, që menaxhohet nga një grua e komunitetit goran,
Fikrije Ibrahimi tha se donacioni i BE-së e ka ndihmuar atë të zgjerojë biznesin e saj dhe të shtojë të hyrat.
Në vazhdim, shefi i BE-së ka vizituar disa nga shtëpitë e ndërtuar për komunitetin serb në fshatin Shillovë të Gjilanit, ku është njoftuar nga afër me gjendjen e tyre.
Szunyog ka vizituar, po ashtu, çerdhen në fshatin Shillovë, ku theksoi se shkollimi parafillor është çelësi për zhvillim social dhe intelektual të fëmijëve.
Drejtoresha e kësaj çerdheje, Daniela Markoviq, tha se me ndihmën e Zyrës së BE-së kanë arritur të krijojnë kushte shumë të mira për fëmijët, të cilët vijnë nga Gjilani dhe fshatrat përreth.
Edhe drejtori i shkollës fillore dhe të mesme në Shillovë, Zoran Stojanoviq, falënderoi Bashkimin Evropian për donacionin e dhënë për përmirësimin dhe modernizimin e klasave të Informatikës.
Nga ky donacion kanë përfituar të rinjtë e Shillovës si dhe të fshatrave përreth. Sipas drejtorit, rreth 360 persona, kryesisht të rinj, kanë përfituar nga ky donacion.
Vizitën Szunyog e ka vazhduar në Novobërdë, ku u prit nga kryetari i kësaj komune, Svetislav Ivanoviq.
Ivanoviq tha se mbështetja nga Zyra e BE-në ka ndihmuar në përmirësimin e mirëqenies të qytetarëve të komunës që ai drejton.
Ai e quajti një ditë të madhe për Komunën e Novobërdës, që po vizitoheshin nga shefi i Zyrës së BE-së dhe delegacioni i Organizatës Ndërkombëtare për Migrim (IOM). “I vizituam dy familje në komunën e Novobërdës, të cilat janë kthyer në vendin e tyre, kur u janë ndërtuar shtëpitë, në kuadër të projektit për infrastrukturë. Kisha pas dëshirë ta falënderoj ambasadorin dhe të gjithë personat e tjerë që kanë përkrahur Novobërdën”.
Familja e Milan Steviq janë kthyer në vitin 2016 në fshatin Stanishor të Novobërdës. Kryefamiljari u shpreh mirënjohës për Zyrën e BE-së, e cila ka ndihmuar rikonstruktimin e shtëpive.
Familja katëranëtarëshe Vasiq, e cila është kthyer në fshatin Zebincë në vitin 2012, po ashtu, falënderuan BE-në për rindërtimin e shtëpisë së tyre.
Kryefamiljari tha se janë përshtatur me jetesën në Kosovë, madje tregoi se një anëtar i tyre tani është pjesë e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).