Szunyogu thotë se anëtarësimi i Kosovës në KiE nuk varet nga BE-ja, por nga shtetet anëtare
Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian (BE) në Prishtinë, Tomas Szunyog, ka deklaruar se çështja e anëtarësimit në Këshillin e Evropës (KiE) nuk varet nga Bashkimi Evropian (BE), por nga shtetet anëtare të KiE-së.
Këto deklaratë, ai e ka dhënë gjatë një vizite të enjten në Suharekë.
Szunyogu nuk ka dashur të komentojë nëse asociacioni është kusht për hyrjen e Kosovës në organizatën evropiane.
“Nuk mund të flas për çështjen e Këshillit të Evropës. BE-ja nuk është anëtare e saj. Varet nga shtetet anëtare, të cilat duhet të vendosin çfarë kushtesh të vendosin që të bëhet anëtare”, ka thënë ai.
Mospërfshirja e Kosovës në agjendën e KiE vjen pas letrës së tre liderëve evropianë dërguar kryeministrit Albin Kurti përmes së cilës kërkohet asociacioni si kusht për anëtarësimin e vendit në Këshillin e Evropës.
Kancelari gjerman, Olaf Scholz, kryeministrja italiane Giorgia Meloni dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, kanë thënë në letër se “ekziston një rrezik real që pa progres vendimtar të asociacionit, aplikimi i Kosovës në Këshillin e Evropës nuk do të merr mbështetjen e mjaftueshme nga shtetet anëtare”.