“Ky është çmimi i lirisë”, fjalët prekëse të Thaçit nga Haga, tregon se për çka e ka marrë malli në Kosovë: Endriti tani u bë burrë
Gati tri vjet pas arrestimit nga Dhomat e Specializuara, ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka dhënë një intervistë nga Haga, ku ndër të tjera ka folur për familjen e tij.
Mallin për familjen e ka përshkruar me fjalët më prekëse. Ka përmendur diplomimin e djalit të tij, Endrit Thaçit, në të cilin nuk ka mundur të marrë pjesë, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
“Për familjen, të rri dhe të bisedojë i lirë me ta: Lumen, Endritin, i cili tani u rrit dhe u bë burrë, të merrja pjesë në ceremoninë e tij të diplomimit, të shëtisja maleve, bjeshkëve të bukura të Kosovës, të përcillnim ndeshje futbolli së bashku, apo të kalonim së bashku ndonjë ditë skijimi në bjeshkët e Brezovicës. Të bisedonim për ëndërrat e tij jetësore, apo për ndonjë film apo libër etj”, ka deklaruarThaçi në një intervistë për Nacionalen.
Ka thënë se i mungojnë njëri-tjetrit çdo ditë, “por ky është çmimi i lirisë”.
Vizitën e prindërve gjatë vitit të kaluar, e ka quajtur emocion të veçantë dhe të paharrueshëm.
“E di që mallëngjimi është deri diku dobësi, por paraqet edhe njerëzi: jemi njerëz nga mishi dhe gjaku. Po, më ka marrë malli për prindërit të cilët kanë hyrë në fazën e moshës së thyer, edhe pse flas shpesh përmes telefonit. Ardhja e tyre vitin e kaluar këtu në vizitë ishte një emocion i veçantë dhe i paharrueshëm”, ka thënë Thaçi në këtë intervistë.