‘Ta paska dhënë lejen Dejona’, deputetët e ngacmojnë për kthimin në Kuvend, Konjufca: S’po më njihshi
Kryeparlamentari Glauk Konjufca është kthyer në sallën e Kuvendit të Kosovës, pas mungesës në tri seancat e fundit të jashtëzakonshme, të thirrura nga opozita.
Ndërsa ministrat dhe deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje po vazhdojnë t’i bojkotojnë këto seanca, Glauk Konjufca sot nuk e ka ndjekur shembullin e të tijëve.
Deputetja e AAK-së, Albana Bytyqi, e ka ngacmuar posa e ka marrë fjalën në seancën e jashtëzakonshme, ku po diskutohet për menaxhimin në Korporatën Energjetike të Kosovës. Ajo i ka thënë Konjufcën se se ka marrë leje nga koordinatorja e komiteteve në LV-së, Dejona Mihali për t’u kthyer në udhëheqjen e seancave.
“Faleminderit i nderuar kryetar i Kuvendit. Po më vjen mirë që ke ardhur dhe ta paska dhënë lejen Dejona që të vish këtu në seancë”, ka thënë ajo.
Reagimi i Konjufca ka qenë i menjëhershëm: “S’po më njihshe bash mirë, po nejse vazhdo”.
Deputeti i radhës që është paraqitur në foltore, Hajdar Beqa i PDK-së, e ka nisur duke folur gjithashtu për kthimin e kryeparlamentarit në sallë.
“Sot paska ardhur kryetari, e përgëzoj. Deputetja paraprake e pyeti a e ke pyet Dejonën. Ky tha nuk po më njihshe mirë. E unë po të pyeti, kryetar, a ke ardhur me leje a pa leje? Dhe ishalla nuk ke najfarë ndëshkimi për këtë veprim. Megjithatë, të përgëzoj”, ka thënë Beqa.
“Ruaju Hajdar se edhe ty të shkarkon Dejona”, ia ka kthyer Konjufca.