Ta ruajmë ujin dhe të paguhen borxhet që të kemi ujë 24 orë
Kryeshefi i kompanisë së Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”, Ilir Abdullahu, ka bërë me dije se nga falja e borxheve kanë përfituar rreth dy milionë euro.
Sipas tij, borxhi i konsumatorëve ndaj ujësjellësit është rreth 40 milionë euro.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Abdullahu ka thënë se Ujësjellësi Rajonal “Prishtina” në vitin 2017 ka tejkaluar indikatorët financiarë të paraparë në planin e biznesit si në shkallën e faturimit, inkasimit dhe zvogëlimit të shpenzimeve operative.
Ai ka theksuar se në shtatë vjetët e fundit kanë bërë investime rreth 50 milionë euro. Pavarësisht prej dimrit të thatë, Abdullahu ka thënë se nuk do të ketë problem të furnizimit me ujë. Megjithatë, ai u ka bërë thirrje konsumatorëve mos ta keqpërdorin ujin
“Epoka e re”: Z. Abdullahu, me çfarë suksesi e ka përmbyllur vitin 2017 kompania e Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”?
Abdullahu: Viti 2017 ka qenë vit i sukseseve të mëdha për kompaninë e Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”. Këto suksese janë arritur falë një pune dhe përkushtimi të jashtëzakonshëm të të gjithë stafit të kompanisë. Meritor për këto suksese janë të gjithë ata që kontribuuan në vazhdimësi, sidomos në dy dekadat e fundit. Ka qenë një histori e gjatë rrugëtimi për të arritur deri këtu ku jemi sot. Përfundimisht Prishtinën si kryeqytet do ta mbulojmë me furnizim me ujë 24 orë. Vitin që lamë pas kompania e Ujësjellësit Rajonal “Prishtina” ka inauguruar disa projekte, duke filluar me disa projekte të vogla, pastaj ka vazhduar me projekte më të mëdha që nga pas lufta.
Në fillim të vitit 2017 inauguruam një projekt të rëndësishëm për aspektin e ruajtjes së kualitetit të ujit dhe kujdesit ndaj klientit, i cili u realizua në bashkëpunim me Departamentin për Bashkëpunim për Zhvillim të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Sllovenisë nëpërmjet Zyrës Sllovene në Kosovë, që ka të bëjë me avancimin e sistemit të klorimit në rezervuarët Mirëdita I dhe II. Ky sistem është zbatuar në tërësi nga stafi i kompanisë së Ujësjellësit Rajonal “Prishtina” dhe është projekti i parë i kryer në tërësi nga stafet e kompanive publike të ujit. Po ashtu, vazhduam inaugurimin e impiantit të trajtimit të ujit të pijes, projekt i cili ishte në kuadër të projektit investiv me KFW dhe EU, i titulluar Prishtina Faza II.
Në kuadër të këtij projekti u rehabilituan shumë rrjeta të furnizimit me ujë, por pika më e rëndësishme patjetër mbetet projekti i rehabilitimit të ITUP në Badovc, projekt i cili tani operon me teknologjinë me të avancuar të trajtimit dhe monitorimit. Pastaj inauguruam projektin më të madh – impiantin e përpunimit të ujit të pijes në Shkabaj, projekt ky që ka kushtuar 35 milionë euro, si pjesë investive me kredi nga kompania e Ujësjellësit Rajonal “Prishtina” në vlerë prej 20 milionë eurosh dhe pjesa tjetër donacion nga EU, Qeveria e Kosovës dhe Komuna e Prishtinës.
“Epoka e re”: Nga kush është monitoruar ky projekt?
Abdullahu: Që nga fillimi i operimit është monitoruar në tërësi nga stafi i kompanisë së Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”. Kjo tregon nivelin e lartë të përgatitjes së kompanisë nga aspekti profesional. Fillimisht donatori dhe kontraktorët kishin rezerva për përgatitjen e stafit dhe gatishmërinë tonë për të operuar me këtë teknologji të avancuar, por ne dëshmuan se mund të operojmë me çdo lloj teknologjie të avancuar, sepse brenda kompanisë kemi staf të kualifikuar. Në tremujorin e fundit të vitit 2017 kemi lëshuar në punë edhe impiantin e trajtimit të ujërave të ndotura, si impianti i parë që ndërtohet për t’i mbrojtur burimet ujore. Ky impiant është ndërtuar falë donacionit të agjencisë çeke për zhvillim dhe bashkëpunim me Kuvendin Komunal të Prishtinës dhe neve si kompani. Projekti trajton ujin që shkarkojnë banorët e fshatit Mramor, në të njëjtën kohë mbron shkarkimet dhe burimet që furnizojnë liqenin e Badovcit, si një nga burimet kryesore të ujit që shfrytëzohet për t’i furnizuar qytetarët e Prishtinës me rrethinë me ujë. Vlen të theksohet se ne si kompani renditemi e para në regjion sipas raportit të krahasimit Benchmarking, si metodë krahasuese që përdoret në të gjithë botën për aspektin e punonjësve për konsumatorë apo, thënë më mirë, rendimenti i punonjësve tanë është vlerësuar në këtë nivel sipas kësaj metodologjie të krahasimit. Edhe këtë vit kemi tejkaluar indikatorët financiarë të paraparë në planin e biznesit si në shkallën e faturimit, inkasimit dhe zvogëlimin e shpenzimeve operative. Sukses tjetër është edhe kthimi i kredisë që kemi ndaj KFW-së, ku deri më tani kemi kthyer rreth shtatë milionë euro.
“Epoka e re”: Kush është meritor për sukseset e Ujësjellësit “Prishtina”?
Abdullahu: Meritor për sukseset e kompanisë së Ujësjellësit Rajonal “Prishtina” janë të gjithë ata që kanë kontribuuar për të mirën e kompanisë pa përjashtim, por më meritorët janë punonjësit e kompanisë, konsumatorët tanë, sektorët e saj, në veçanti dy shtyllat kryesore: ajo financiare dhe teknike. Në Departamentet e Drejtorisë Teknike punohet 24 orë në ditë, duke u kujdesur që qytetarët jo vetëm të kenë ujë të mjaftueshëm gjatë gjithë kohës, por edhe të kenë sasi të mjaftueshme edhe në kualitet të duhur për ujin e pijes sipas direktivave dhe normave evropiane për cilësi të ujit të pijes. Ndërsa kur jemi te cilësia, duhet theksuar se kompania e Ujësjellësit Rajonal “Prishtina” është kompania e vetme e ujit e cila ka të akredituar laboratorin nga Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit në Kosovë.
“Epoka e re”: Prishtina tani është zgjeruar shumë në aspektin infrastrukturor si dhe me banorë, ndërsa kompania që ju drejtoni duhet ta furnizojë gjithë kryeqytetin dhe komunat e tjera. Sa ka kapacitete të mjaftueshme kompania e Ujësjellësit Rajonal “Prishtina” ta furnizojë gjithë Prishtinën me ujë 24 orë?
Abdullahu: Ne si kompani jemi të përgatitur me burimet tona dhe kapacitetet prodhuese, mirëpo zgjerimet që kanë ndodhur janë sfidë në vete. Dihet se si po zgjerohen zonat e banimit dhe ndërtimit, sidomos në Prishtinë dhe Fushë-Kosovë. Këto vështirësojnë furnizimin me ujë. Duhet theksuar se këto ndërtime duhet të bëhen në bazë të planeve urbane, të paktën të përgatitura në bashkëpunim me të gjitha kompanitë shërbyese, jo vetëm me kompaninë e Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”, sepse shpesh ballafaqohemi me qytetarë apo investitorë të cilët kërkojnë shërbimet tona, por ne e kemi të pamundur t’u ofrojmë shërbime sipas kërkesave të tyre. Ne kemi bërë investime afër 50 milionë euro në shtatë vjetët e fundit qoftë në rrjeta të ujit, qoftë në mbrojtje të burimeve ujore, infrastrukturë dhe kapacitete prodhuese. Dihet se institucionet lokale komunale obligohen të investojnë në infrastrukturë, rrjedhimisht në rrjeta të ujit për zonat të cilat zgjerohen si zona banimi. Ne si kompani bëjmë mirëmbajtjen e këtyre sistemeve dhe avancimin e tyre, mirëpo me tarifat që kemi, të cilat i cakton autoriteti rregullator për ujëra, e kemi të pamundur të bëjmë investime kapitale në vlera të mëdha, kur dihet se jemi edhe në obligime kreditore. Çdo vit duhet të paguajmë 2.9 milionë euro kredi. Kjo e vështirëson shumë çështjen financiare sa iu përket investimeve në zgjerim të rrjetave të ujit. Ndërsa sa i përket kapacitetit për furnizim me ujë, them se jemi mirë. Ndihmesa më e madhe e konsumatorëve tani duhet të jetë në ruajtjen e ujit. Gjithashtu, konsumatorët duhet t’i kryejnë obligimet që kanë ndaj ujësjellësit.
“Epoka e re”: Në cilat zona ka keqpërdorim të ujit?
Abdullahu: Keqpërdorimet më të mëdha ndodhin në zonat rurale, ku ujin e pijes e përdorin për ujitje. Kriza e ujit tashmë është krizë globale, që vjen edhe si rezultat i ndryshimeve klimatike, rritjes së popullsisë, zhvillimit të hovshëm në bujqësi, industri dhe në faktorë të tjerë. Mbi 800 milionë euro njerëz nuk kanë qasje në ujin e pijes. Miliona njerëz vazhdojnë të bartin me dhjetëra kilometra ujin e pijes për mbijetesë. Thirrja ime është ta kursejmë ujin e pijes.
“Epoka e re”: Shumë tubacione janë të vjetruara dhe ato duhen ndërruar, po ashtu edhe zgjerimi i rrjetit ka kosto. Si po ia dilni me buxhetin?
Abdullahu: Tubacionet në shumë zona të qytetit janë të vjetruara dhe të amortizuara. Kjo dëshmon ndërhyrje të shpeshta në këto sisteme nga ekipet tona të mirëmbajtjes. Me një menaxhim të mirë po përpiqemi të arrijmë të mirëmbajmë sisteme të tilla, ndërsa aspekti buxhetor, siç thashë dhe më parë, po arrihet të mbahet, mirëpo me shumë përkushtime e vështirësi. Ne çdo vit bëjmë investime kapitale në ndërrim të rrjetave të ujit, zëvendësim të materialeve të reja e kështu me radhë.
“Epoka e re”: Kur pritet të zgjidhet problemi i ujit të pijshëm për Komunën e Fushë-Kosovës?
Abdullahu: Ne si kompani kemi tentuar që vitin e kaluar ta zgjidhim problemin e Fushë-Kosovës sa i përket furnizimit me ujë, në mënyrë që ta mbulojmë me furnizim nga fabrika në Shkabaj, por duke parë se ka qenë një kosto e papërballueshme, kemi kërkuar të na ndihmojë edhe Qeveria e Kosovës. Për shkak të rrethanave zgjedhore dhe vakuumeve vendimmarrëse qoftë në pushtetin qendror apo lokal, ky projekt është shtyrë për këtë vit. Besoj se duhet ta gjejmë një zgjidhje të përbashkët me institucionet qendrore dhe lokale që ta mbyllim edhe këtë projekt jetik për qytetin e Fushë-Kosovës. Tani furnizimi me ujë në Fushë-Kosovë është i kënaqshëm, pasi rreth 60 për qind kanë furnizim me ujë nga fabrika e re. Pjesa tjetër e qytetit vazhdon të ketë një furnizim nga fabrika e përpunimit të ujit, nga puset nëntokësore në fshatin Kuzmin.
“Epoka e re”: Sa ka pasur efekt ligji për faljen e borxheve?
Abdullahu: Numri i konsumatorëve të cilëve u ka takuar falja e borxheve është rreth 55 000, nga të cilët kanë shfrytëzuar të drejtën për falje rreth 50 000 prej tyre. Borxhi i falur është 10 milionë euro, nga 23 milionë euro që u ka takuar falja. Kompania e Ujësjellësit Rajonal “Prishtina” nga falja e borxheve ka përfituar rreth dy milionë euro. Borxhi aktual i konsumatorëve që kanë ndaj ujësjellësit është rreth 40 milionë euro.
“Epoka e re”: A pritni të ketë telashe Prishtina gjatë këtij viti me ujë të pijshëm kur kemi parasysh se deri më tani kemi një mot të thatë.
Abdullahu: Ne si kompani monitorojmë gjatë gjithë kohës burimet tona të ujit. Sigurisht thatësia që është si pasojë e ndryshimeve të mëdha klimatike ka bërë efektin e vet. Këto ditë liqeni i Batllavës është në gjendje të mirë hidrike, ndërsa Liqeni i Badovcit ka qenë i ndikuar më shumë si pasojë e shtrirjes gjeografike hapësinore të pellgut ujëmbledhës. Ne kemi planet tona të menaxhimit të thatësisë, kemi ekipin profesional që harton dhe monitoron këto plane, në krye me drejtorin teknik i cili udhëheq këtë grup. Në bazë të këtyre, pjesa e furnizimit që lidhet me burimin e Liqenit të Badovcit është pak më sfiduese, por gjithsesi me futjen në punë të ITUP në Shkabaj ne kemi siguri shumë më të madhe të furnizimit me ujë për banorët e Prishtinës me rrethinë.
“Epoka e re”: Cilat janë prioritetet e Ujësjellësit “Prishtina” gjatë vitit 2018?
Abdullahu: Rritja e shërbimeve ndaj konsumatorit, qëndrueshmëria financiare, marrja e masave ligjore ndaj keqpërdoruesve të ujit të pijes, ulja e humbjeve të ujit të prodhuar, menaxhimi efiçient në kursim energjie, zgjidhja e furnizimit me ujë për 24 fshatra në komunat Lipjan, Graçanicë, Shtime, Drenas, Obiliq, Podujevë, donacion ky nga qeveria zvicerane në bashkëfinancim me komunat dhe kompaninë e Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”.