Tabela që tregonte Pejën si pjesë të Serbisë shqetësoi edhe kryetarin e Ulqinit

07 prill 2025 | 14:23

Tabela që tregonte Pejën si pjesë të Serbisë e vendosur në Plavë, dhe e cila më pas u largua pas reagimeve të shumta, shqetësoi edhe kryetarin e Komunës së Ulqinit, Genc Nimanbegun.

Para largimit të shenjës, ai i dërgoi një letër të hapur kryeministrit të Malit të Zi, Milojki Spajiq, përmes së cilës shprehu shqetësimin dhe e konsideroi vendosjen e asaj tabele rrugore si skandal.

Sipas tij, vendosja e saj nga zyrtarët e Ministrisë së Transporteve është i papranueshëm dhe i rrezikshëm, pasi, siç u shpreh ai, “tregon se ende ekzistojnë mendime që nuk e pranojnë realitetin dhe faktet ndërkombëtare”.

Ai kujton se Mali i Zi ka njohur Republikën e Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran më 9 tetor 2008 dhe se veprime të tilla janë shqetësuese dhe duhet të trajtohen me seriozitet.

Nimanbegu ka ftuar kryeministrin malazez të ndërmarrë hapa që raste të tilla të mos përsëriten, pasi ato përbëjnë një formë diskriminimi dhe fyerje ndaj identitetit të popullsisë shqiptare.

Nimanbegu ka kërkuar gjithashtu që nëpunësit e Ministrisë së Komunikacionit të kryejnë detyrat e tyre me integritet dhe në përputhje me normat dhe rregullat e punës, duke shmangur çdo mundësi për përhapjen e keqkuptimeve dhe gabimeve të ngjashme në të ardhmen.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të dielën klubi shqiptar FC Kosova Düsseldorf në kuadër të…