Taekwondistët synojnë medalje në ‘Manchester 2019’
Katër garues të sportit të taekwondosë do të përfaqësojnë Kosovën në Kampionatin Botëror të taekwondosë, që mbahet prej nesër (e mërkurë) deri më 18 maj në Manchester të Anglisë.
Qëndrim Sejfijaj, kategoria deri në 68 kilogramë, Butrint Ejupi, kategoria deri në 74 kilogramë, Natyra Kadriu (-46 kg) dhe Don Berisha (+87 kg), do të synojnë të lënë gjurmë në botëror, bashkë me trajnerin e kombëtares, Arsim Agushi. Sekretari i përgjithshëm i Federatës së Taekwondosë së Kosovës, Enis Qafëlleshi, thekson se në Manchester udhëtojnë për të mos u kthyer duarthatë.
“Kjo është hera e tretë që taekwondistët marrin pjesë në botëror, pas pjesëmarrjes në Rusi dhe Kore të Jugut. Pretendimet nga Manchesteri i kemi për medalje”, shprehet me optimizëm Qafëlleshi për uebfaqen zyrtare të KOK-ut.