Tahir Batatina: Ia falëm një pikë Drenicës
Trajneri i Llapit, Tahir Batatina, ka thënë se skuadra e tij ia ka falur një pikë Drenicës. Ndeshja e xhiros së 24-t të Superligës së Kosovës në futboll në mes të Llapit dhe Drenicës përfundoi 3:3.
Batatina ka fajësuar arbitrin, portierin dhe njërin qendërmbrojtës për tre golat e pranuar.
“Në pjesën e parë pranuam gol pasi përfundoi ndeshja. Pra përfundoi koha shtesë dhe arbitri e vazhdoi ende lojën dhe pranuam golin. Në pjesën e dytë i pranuam edhe dy gola tjerë, me gabimet tona. Më pas është dashur të rrezikojmë, duke luajtur me pesë lojtarë ofanzivë. Kemi rrezikuar që të kthejmë rezultatin ose të pranojmë edhe më shumë gola”, ka thënë Batatina.
Ai është mburrur për ndërrimet e bëra. “Trajneri e ka këtë detyrë. I kam bërë zëvendësimet e duhura. Ahmed Januzin e kam ruajtur dhe ai është lojtar që di të vendos ndeshjet. Mund të them se me gabimet tona ia falëm një pikë Drenicës. Paraqitja e skuadrave ishte në nivele tjera. I falëm dy gola, një me gabim të portierit, një të qendërmbrojtësit”, ka shtuar trajneri llapjan.