Tahir Batatina: Titulli duhet t’i urohet Arsim Kabashit, e jo Ilir Dajës
Llapi u mposht në shtëpi nga Ballkani 1:0 të shtunën në “Zahir Pajaziti”.
Me këtë rezultat, skuadra suharekase e fitoi titullin e kampionit për këtë edicion.
Por titullin e Ballkanit e ka vënë në pikëpyetje trajneri i Llapit, Tahir Batatina.
Batatina tha se suharekasit nuk kanë fituar me meritë.
“Jemi të kënaqur me angazhimin dhe luftën për titull, por titulli duhet t’i urohet Arsim Kabashit dhe jo Ilir Dajës. Sido që të jetë, shpresoj se do të përmirësohet futbolli në edicionet e ardhshme. Mendoj që gjërat duhet të shkojnë me rivalitet, të mos ndëshkohet dikush e dikush tjetër të favorizohet. E dimë që Ballkani nuk është bërë kampion me meritë. Por kjo nuk është përgjegjësi e imja. Dy gabimet, te Dukagjini dhe Gjilani, kanë bërë që ne të mos e fitojmë titullin. Duhet të mendojmë tani për garat e Evropës, të paraqitemi sa më mirë e të luftojmë sërish për titull. Nuk më duhet titulli në forma josportive. Kur të bëhem kampion, dua të bëhem me meritë. Janë bërë aleanca kundër nesh. Ia uroj fitoren Arsim Kabashit, që është bërë kampion”, ka thënë fillimisht Batatina për “ArtMotion”, e më pas foli edhe për finalen e Kupës së Kosovës.
Në rast se Ballkani e fiton titullin, në kualifikimet e Ligës së Evropës avancon Llapi. Në rast se fiton Prishtina, Llapi do të luajë në kualifikimet e Ligës së Konferencës.
“Prishtina e meriton Evropën, jo një lagje si Malisheva. Prishtina është klub i madh, klub me traditë, një skuadër e organizuar mirë. Ka kontingjent të mirë dhe uroj që të gjitha katër skuadrat të paraqitemi mirë në garat evropiane”, është shprehur trajneri i Llapit.