Tahiri: 10 mijë punonjës mund të jenë të kënaqur me Ligjin e pagave, por jo 70 mijë të tjerë
Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka bërë me dije se Kryesia e Kuvendit ka miratuar të premten kërkesën e tyre për debat parlamentar për punën e qeverisë.
Pas mbledhjes, ai ka thënë se brenga kryesore e AAK-së është gjendja sociale, ekonomike, papunësia, humbja e shpresës dhe ikja e rinisë nga Kosova.
“Për dy vjet ka pasur fjalë, premtime e zotime, por nuk ka pasur asnjë veprim të mirëfilltë të kësaj qeverie. Sa i përket Ligjit të Pagave, 10 mijë punonjës mund të jenë të kënaqur, po 70 mijë të tjerë zgjohen në mëngjes e shkojnë në punë, vetëm sa për të dalë në punë, e jo se ligji u ka krijuar kushte për administratën shtetërore. Paga minimale në sektorin privat nuk është askund. Reforma në sektorin social, ndihma për pensionistë nuk ka ndodhur. Nëse pyet dikush se cili është suksesi i Qeverisë Kurti, nuk dimë çka të themi! Përveç një ure në fshatin Saradran në Istog, nuk ka asnjë investim tjetër kapital”, ka shkruar Tahiri në “Facebook”.
Ai ka treguar se kjo parti ka kërkuar një rezolutë dhjetë pikëshe.
“Paga minimale është caktuar 265 euro, përderisa koeficienti në Ligjin e Pagave është 105 euro, këtu ka probleme serioze në koncept zhvillimor dhe projekte. Kjo Qeveri shtynë përpara projektligje që nuk kanë efekt në jetën publike. Ky është vendi i vetëm që pas krizës së energjisë elektrike nuk e ka të miratuar strategjinë për energjinë”, ka shkruar Tahiri.