Tahiri: 11, 15 ose 17 ministri parashihen në Ligjin për Qeverinë
Projektligji për Qeverinë është në fazën e fundit të procesit të draftimit para se të kaloj për miratim në kabinetin qeveritar. Ligji i cili në të ardhmen do të rregullojë punën e ekzekutivit, po kalohet me konsultime të brendshme të grupit punues.
Koordinatori Nacional për Qeverisje Lokale, Besnik Tahiri, ka thënë se ky projektligj nuk prek vetëm numrin e ministrive, zëvendësministrave dhe zëvendëskryeministrave, por e rregullon ekzekutivin e shtetit, raportet ndërmjet ministrive, nismat sociale dhe saktëson përgjegjësitë dhe detyrat e secilës ministri dhe Kryeministrisë.
Tahiri i cili është edhe kryesues i Komisionit për Hartimin e Projektligjit për Qeverinë, në një intervistë për Ekonomia Online, për herë të parë ka bërë publike draftin e këtij projektligji.
Tri opsione janë për numrin e ministrive. Qeveri me 11, 15 dhe 17 ministri, por sipas Tahirit. Ai thotë se nëse nuk vendoset kufizimi i numrit të ministrive, projektligjin nuk e dërgon në Qeveri.
“Për herë të parë po e bëj publike, unë i kam tri opsione, opsioni me 11 ministri, opsioni që është me 15 ministri dhe opsioni me 17 ministri. Do të jetë vendim i Qeverisë cilin opsion e merr. Ka liderë serioz të partive opozitare që mendojnë numri nuk duhet të jetë i përfshirë në këtë ligj dhe unë nëse nuk e vendosi numrin, si kryetar i këtij komisioni nuk do ta qoj në Qeveri. Kur kemi hyrë në analizë të evidencës kemi parë që numri i ministrive ka degraduar, koalicion mas koalicioni, qeveri mas qeverie”, ka thënë kryesuesi i Komisionit për Hartimin e projektligjit për Qeverinë, Besnik Tahiri.